Lajme

Ushtari amerikan që iku në Korenë e Veriut do të deklarohet fajtor për dezertim


Ushtari amerikan Travis King, i cili u arratis nga Koreja e Jugut në Korenë e Veriut përpara se të kthehej në shtëpi, do të deklarohet fajtor për dezertim dhe akuza të tjera.

Kështu ka bërë me dije avokati i tij.

Ushtria ngriti 14 akuza kundër King për kalimin e paligjshëm në korrik 2023. Ai planifikon të pranojë fajësinë për pesë akuza, duke përfshirë dezertim dhe sulm, si pjesë e një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë.

“Ai do të deklarohet i pafajshëm për veprat e mbetura, të cilat ushtria do t’i tërheqë dhe shkarkojë”, ka thënë avokati i tij Franklin Rosenblatt në një deklaratë për BBC.

Seanca dëgjimore e pranimit dhe dënimit të tij do të zhvillohet më 20 shtator në një bazë ushtarake në Fort Bliss, Teksas.

“Pranimi i fajësisë së Travis do të paraqitet në një gjykatë të përgjithshme ushtarake”, ka thënë Rosenblatt në një deklaratë të dërguar me email.

“Atje, ai do të shpjegojë atë që ka bërë, do t’i përgjigjet pyetjeve të një gjyqtari ushtarak se pse po e pranon fajin dhe do të dënohet”.

King është mirënjohës për mbështetjen nga familja dhe miqtë e tij dhe të gjithë atyre që nuk e “paragjykuan” atë bazuar në akuzat, ka shtuar avokati.

Akuzat që pritet të hidhen poshtë si pjesë e marrëveshjes për pranimin e fajësisë përfshijnë posedimin e pornografisë së fëmijëve.

King ka qenë në ushtri që nga janari 2021 dhe ishte në Korenë e Jugut si pjesë e një shkëmbimi të njësisë kur ai kaloi në Korenë e Veriut.

Para atij incidenti, ai kishte vuajtur dy muaj në paraburgim në Korenë e Jugut me akuzën se kishte sulmuar dy persona dhe kishte shkelmuar një makinë policie.

Ai u lirua nga paraburgimi më 10 korrik – tetë ditë para se të kalonte kufirin e vendit me Phenianin.

Marrëveshja e lirimit të tij u ndërmjetësua nga zyrtarë suedezë, të cilët sollën King në kufirin e Koresë së Veriut me Kinën.

Dihet pak se si u trajtua në Korenë e Veriut, pse u arratis atje në radhë të parë dhe pse Pheniani e dëboi.

SHBA ka thënë se nuk ka bërë asnjë lëshim për të siguruar lirimin e tij.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore