Kosova

Urgjente që Kosova dhe Serbia të bëjnë përparim në normalizim, thotë Lajçak


Miroslav Lajçak

Është urgjente që Kosova dhe Serbia të bëjnë përparim në normalizimin e marrëdhënieve, ka thënë Miroslav Lajçak.

Këtë, i Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd e ka bërë pas takimit që ka pasur me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në margjinat e forumit global të sigurisë, GLOBSEC 2024, që po mbahet në Pragë të Çekisë.

“Fola me Vuçiç-in rreth pritshmërive dhe hapave të ardhshëm në dialog. Ne diskutuam gjithashtu Planin e Rritjes dhe nevojën urgjente që Kosova dhe Serbia të bëjnë përparim në normalizim”, shkroi Lajçak në platformën X.

Kjo, sipas diplomatit sllovak, është thelbësore për avancimin drejt integrimit.

Nga ana tjetër, po në këtë takim, Vuçiç i është ankuar Lajçak-ut për aksionin e Policisë së Kosovës në Veri të premten, ku u mbyllën pesë objekte të komunave paralele serbe në Veri.

Përmes një postimi në rrjetin social “Instagram”, të shtunën, Vuçiç tha se me Lajçak-un pati një bisedë të “hapur” dhe të “sinqertë”.

“I përcolla shqetësimin tim të skajshëm për dhunën e fundit në Kosovë, shkeljen e përsëritur të të drejtave dhe rrezikimin e sigurisë së popullatës serbe nga lëvizjet arrogante dhe ilegale të Prishtinës”, shkroi Vuçiç.

Nga diplomati sllovak, kreu i Serbisë tha se ka kërkuar një reagim konkret dhe të qartë nga BE-ja dhe shtetet anëtare – “jo vetëm në dënimin e lëvizjeve të tilla, por edhe në parandalimin e tyre dhe mbrojtjen e serbëve”.

“Serbia mbetet një partner i përgjegjshëm i BE-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Prishtinën, por do të përdorë të gjitha mjetet diplomatike në dispozicion për të parandaluar terrorin kundër popullit të saj”, propagandoi presidenti serb.

Ndryshe, aksioni i Policisë së Kosovës në Veri të vendit – të banuar me shumicë serbe – të premten, për mbylljen e objekteve të komunave paralele serbe, u kritikua ashpër nga vendet perëndimore, posaçërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore