Kosova

Universiteti i Ferizajt me performancë e llogaridhënie më të ulët ndaj publikut


Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF),

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), së fundmi ka raportuar se 61% e profesorëve të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), nuk justifikojnë titujt e tyre akademikë, sa i përket kriterit të publikimeve shkencore.

Sipas, ORCA-s, profesorët e këtij universiteti kanë publikuar 59 punime shkencore, apo 2.11 punime për kokë profesori, teksa 57% e profesorëve nuk kanë të botuar asnjë punim shkencor në revista shkencore, si autor i parë ose korrespondent.

Në një intervistë për Albanian Post, Dibran Hoxha nga kjo organizatë thotë se për të ardhur deri tek ky hulumtim, rruga ishte sfiduese dhe arsyeja kryesore duket të ketë qenë – mungesa e transparencës, ndërsa shton se UShAF mbetet universiteti me llogaridhënie më të ulët ndaj publikut.

Dibran Hoxha – ORCA.

“Hulumtimi mbi Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) ishte sfidues në vetvete, për arsye të mungesës së transparencës nga ky institucion. UShAF është i vetmi institucion publik i arsimit të lartë i cili nuk ka CV të stafit akademik të publikuar në uebfaqe zyrtare”, thotë ai.

“ORCA i është drejtuar UShAF me kërkesë për publikimin e CV-ve konform standardit të vendosur nga universitetet tjera publike. Kërkesa jonë nuk është shqyrtuar. Në vijim i jemi drejtuar Ministrisë së Arsimit, e cila financon drejtpërdrejt këtë institucion të arsimit të lartë, të cilët pavarësisht shqetësimit të tyre lidhur me transparencën e UShAF nuk kanë arritur të realizojnë kërkesën tonë”, shton ai.

“Për të gjitha këto arsye, Universiteti i Ferizajt mbetet universiteti me llogaridhënie më të ulët ndaj publikut dhe performancë të dobët shkencore në përgjithësi”, thotë Hoxha.

Mes tjerash, ORCA ka trajtuar edhe problemin e mosnjohjes së diplomave nga Qendra për Njohje dhe Nostrifikim të Diplomave në Kosovë.

Hoxha tregon se lidhur me këtë çështje, kjo organizatë ka realizuar një pyetësor, ndërsa pas shpalljes së rezultateve do të organizohet një takim me të gjithë të anketuarit.

“Pyetësori i ORCA-s ka i hapur me muaj më parë ka për qëllim të adresojë  problemin e mosnjohjes së diplomave nga Qendra për Njohje dhe Nostrifikim të Diplomave në Kosovë, kjo duke i mbledhur të dhënat e studentëve që ballafaqohen me këtë problem”, thotë Hoxha.

“Pas grumbullimit të plotë të të dhënave ne do të organizojmë një takim me të gjithë këta persona dhe do ta përcaktojmë rrugën e adresimit të problemit në fjalë. ORCA mbetet e përkushtuar që manipulimet e tilla në sistemin e arsimit të lartë t’i denoncojë në vazhdimësi derisa personat përgjegjës të vihen para drejtësisë”, shton ai.

Se sistemi arsimor në Kosovë nuk është në nivelet e kënaqshme kishte dëshmuar edhe rezultati i Programit për Vlerësim Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA), projekt ky që i takon Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), e që mbahet çdo tre vjet.

Ky test e kishte nxjerrë Kosovën gati në fund të listës botërore në vitin 2015 dhe në vitin 2018.

Rezultatet e testit të parë janë publikuar në vitin 2016, kur Kosova është radhitur në vendin e 68-të, në mesin e 72 vendeve që kanë marrë pjesë në test, ndërsa ato të dytat janë publikuar më 2019 – këto të fundit rezultuan edhe më keq, teksa vendi u radhit në pozitën e 77-të, në mesin e 79 vendeve që i ishin nënshtruar vlerësimit.

Sipas Hoxhës, një “veting” do të ishte rrugëdalja më e duhur e sistemit të arsimit para universitar, ndërsa thekson se organizata pjesë e të cilës është, nuk ka kundërshtuar rritjen e pagave të mësimdhënësve, por ka kërkuar gjithmonë justifikimin e tyre.

“Kur është fjala për performancën e dobët në rezultatet e testit PISA dhe gjendjen të cilën e pasqyrojnë këto rezultatet, atëherë rrugëdalja nga kjo gjendje alarmante e arsimit parauniversitar do ishte ‘Veting’ i përgjithshëm, apo vlerësim, testim edhe për mësimdhënësit”, thotë Hoxha.

“SBAShK njëherë e përgjithmonë duhet ta pranoj përgjegjësinë për këto rezultate dhe të ballafaqohet me të vërtetën. Ne asnjëherë nuk kemi kundërshtuar kërkesat për rritje të pagave për arsimtarët, ne kemi kundërshtuar mos mundësinë e justifikimit të atyre pagave, nga arsimtarët e dobët të cilët i kanë siguruar apo pozita pune përmes konkurseve partiake apo formave tjera të korrupsionit”, ka vazhduar Hoxha.

Mes tjerash, Dibran Hoxha, thotë se nuk ka arsye që e justifikon rezultatin e Kosovës në PISA.

“Me gjithë tendencën për ta relativizuar rezultatin, sidomos nga ana e Sindikatës së Arsimit, ky rezultat nuk mund të justifikohet në asnjë mënyrë. Arsyetimet se metodologjia e PISA-s nuk qenka kompatibile me mënyrën e mësimdhënies e mësim nxënies në vendin tonë, janë qesharake. Çfarë mënyre e mësimdhënies të duhet, për t’i mësuar nxënësit të lexojnë?!”, thotë Hoxha.

Madje, ORCA, në vazhdimësi që nga viti 2019, hulumton rreth shpenzimeve të universiteteve publike në Kosovë, teksa në raportin e përmbledhur e të publikuar si – “Transparenca dhe llogaridhënia në universitetet publike të Kosovës – Menaxhimi i financave”.

Raporti në fjalë ka ardhur në përfundim që paga për një profesor universitar arrinë të shkojë deri afro 3 mijë euro për muaj.

“Përgjatë këtyre viteve ne kemi arritur ta shohim mënyrën se si menaxhohen paratë publike, është tejet shqetësues fakti që shumica e universiteteve publike rreth 60% e buxheteve të universiteteve shkon për paga dhe mëditje”, thotë ai.

“Profesorët qarkullojnë mes vete norma (orët bazë që duhet mbahen për lëndën e caktuara) dhe mbinorma (orët shtesë për lëndët shtesë), kështu duke shkuar në maksimumin e pagës për një profesor universitar 2 mijë e 603 EURO në muaj”, shton Hoxha.

Rreth kësaj, Hoxha, përfundon duke thënë se – “të gjitha këto shpenzime enorme në paga dhe mëditje do të mund të alokoheshin në mënyrë më efikase si angazhim të stafit të ri akademik apo duke krijuar fondin për hulumtime shkencore në këto universitete, kështu duke i kontribuar direkt cilësisë së këtyre institucioneve”.

Ndryshe, ORCA apo Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim me bazë në Prishtinë, po vazhdon të operojë duke u përqendruar në mbikëqyrjen, analizimin dhe reagimin ndaj proceseve akademike në arsimin e lartë në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore