Shqipëria

U thirr nga opozita, seanca plenare për krimet e Rusisë në Ukrainë zhvillohet më 7 mars


Pavarësisht thirrjes së opozitës shqiptare për mbledhjen e seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë – për të diskutuar mbi rezolutën kundër krimeve të Rusisë në Ukrainë – është vendosur që të mos zhvillohet.

Nga Kuvendi u njoftua se gjatë kësaj dite nuk do të vijohej me seancën plenare pasi kjo është java e gjelbër.

“Ju bëj me dije se sot, datë 3 mars, nuk ka seancë plenare, sepse kjo javë është java e gjelbër dhe deputetët janë në takime me zgjedhësit”, thuhej në njoftimin e Kuvendit.

Ndërkaq seanca plenare do të zhvillohet të hënën e 7 marsit në orën 17:00.

Nga ana tjetër u miratua rezoluta për agresionin rus ndaj Ukrainës e formësuar nga Shqipëria si bashkëpenmbajtëse me SHBA-të në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

141 vende u bashkuan bashkuar duke kërkuar që Rusia të tërheqë ushtrinë e saj nga Ukraina.

Çfarë përmban rezoluta?

Dokumenti i nënshkruar nga Ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha dhe homologia e tij amerikane Linda Thomas-Greenfield, ka për qëllim parësor dënimin e sulmit dhe ndalimin e mëtejshëm të tij nga ana e Rusisë në dëm të Kievit.

Gjithashtu, në të përfshihet edhe një pikë për ndihma humanitare për Kievin, si pasojë e një krize refugjatësh, të cilën Rusia e ka krijuar me agresionin.

Kjo çështje, edhe në bazë të rezolutës, mbart një peshë dhe rëndësi ndërkombëtare, pasi cenon paqen dhe sigurinë botërore.

“Si pjesëtarë të Kombeve të Bashkuara, duhet të zgjedhim”, shtrohet çështja në të. “Ose do t’i qëndrojmë Kartës së OKB-së, në mbrojtje të sovranitetit të Ukrainës, integritetit territorial të saj dhe pavarësisë, ose do t’i lejojmë Rusisë të na çojë pas në kohë, në epokën e imperializmit, kolonizimit dhe perandorive”.

Artikulimi vijon, duke parashtruar se me unitet, kësaj vuajtjeje mund t’i jepet fund. Jo thjesht për njerëzit në Ukrainë, por për gjithë botën që zgjedh paqen dhe diplomacinë mbi luftën dhe agresionin.

“Si parim, ky dokument, nëse nënshkruhet nga vendet e tjera, është një votë pro botës së lirë”, përmbyllet rezoluta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore