Aplikacione

Twitter-i me më pak fitime pas zgjidhjes së një procesi gjyqësor të gjatë


Platforma Twitter ka humbur më shumë se gjysmë miliardë dollarë në tremujorin që është mbyllur në shtator, pasi ka dhënë 809.5 milionë dollarë për të zgjidhur një proces gjyqësor të gjatë.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se ka ardhur pasi kompania është akuzuar për mashtrimin e investitorëve mbi angazhimin e përdoruesve në vitin 2015.

Paçka tarifës, të ardhurat tremujore të Twitter-it kanë pësuar rritje me 37 për qind pasi arriti të shmangë ndikimin nga ndryshimet e privatësisë së Apple-it që goditën rivalët e tij si Snap dhe Facebook.

Kjo bëri që aksionet e kompanisë të rriten me tre për qind.

Jo më larg se në shtator, Twitter-i ra dakord të zgjidhte një padi klasore me aksionerët e vet që datojnë që nga viti 2016.

Kjo padi pretendonte se kompania mashtronte investitorët se sa përdorues ishin aktivë në platformë çdo muaj, si dhe sa shpesh e shihnin afatin kohor.

Edhe pse mohoi çdo keqbërje të mundshme, Twitter-i ra dakord të përdorte para në dorë për të zgjidhur kërkesën, duke vënë në dukje se do të dëmtonte vlerën e saj përfundimtare këtë tremujor.

Dhe kështu ndodhi. Kompania raportoi një humbje neto prej 537 milionë dollarë në tremujorin e tretë të vitit.

Ndikimi i Apple-it

Megjithatë, kompania me bazë në San Francisko nuk është e pashpresë.

Ndryshe nga rivali i vet Snap, aksionet e të cilit ranë me 25 për qind javën e kaluar, Twitter-i ishte deri diku i izoluar nga ndryshimet e privatësisë së Apple-it.

Gjatë tremujorit, kompania bëri 1.14 miliardë dollarë të ardhura nga reklamat, duke e cilësuar ndikimin “modest”, pasi shumica e reklamuesve të saj nuk mbështeten në reklama shumë të synuara.

Ned Segal, shefi financiar, ka pohuar në një telefonatë konferencë me analistët se platforma po zgjeron biznesin e vet të reklamave të synuara, duke prezantuar tema që përdoruesit mund të ndjekin.

Lidhur me përditësimet e privatësisë së Apple-it, ato u shpërndanë gjerësisht në qershor dhe parandalojnë reklamuesit digjitalë që të gjurmojnë përdoruesit e iPhone-it pa pëlqimin e tyre.

Ndërkaq, platforma që është prekur më shumë, Facebook, sinjalizoi se ndryshimet po i shkaktojnë kompanisë probleme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore