Lajme

Tregtia e kokainës po njollos pjesën më të madhe të Amerikës Latine


Një bombë që shpërthen oborrin e dy shtëpive modeste, duke vrarë të paktën pesë persona.

Dy trupa që gjenden të varur nga një urë e cila gëlon nga trafiku i makinave.

Të paktën 187 të burgosur të vrarë, disa me kokën e prerë, në dy masakra të ndara.

Kjo gjurmë e dhunshme nuk do të ishte e pazakontë në Meksikë apo Kolumbi.

Por, kjo situatë u regjistrua gjatë vitit të kaluar në Guayaquil, qyteti më i madh i Ekuador-it.

Në Uruguaj, e përshkruar shpesh si “Zvicra e Amerikës Latine”, 14 trupa të vrarë u shfaqën gjatë një periudhe 10-ditore: tre ishin djegur dhe një i bërë copash.

Muaji i mjaltit në Karaibe i kryeprokurorit paraguajan të drogës përfundoi me dy plumba, ndërsa një person i armatosur e ekzekutoi atë në plazh para gruas së tij shtatzënë.

Pas kësaj përhapjeje alarmante të krimit të dhunshëm në vendet më të vogla dhe dikur më paqësore të Amerikës Latine qëndron lulëzimi i tregtisë së kokainës.

“Gjithnjë të uritur për t’u zgjeruar, bosët e kartelit po krijojnë rrugë të reja për të arritur tregje të reja”.

Kështu shkruan Michael Stott, redaktori i Amerikës Latine për britaniken “Financial Times”.

“Ajo që ne po shohim tani është kulmi i globalizimit të tregtisë së drogës”, deklaroi Jimena Blanco, kreu i kërkimit politik të Amerikës në Verisk Maplecroft. “Ky është një trend i cili filloi pesë deri në dhjetë vjet më parë, por është përshpejtuar në dy vitet e fundit”.

Antwerp kapi më shumë kokainë se çdo port tjetër evropian vitin e kaluar, pothuajse 90 tonë.

Doganat belge thanë se tre vendet kryesore burimore ishin Ekuadori, Paraguaj dhe Panamaja – asnjë prodhues kryesor i drogës.

Kartelet e drogës jo vetëm që kanë zgjeruar rrugët e tyre. Ata gjithashtu kanë rritur madhësinë totale të biznesit të kokainës dhe janë diversifikuar në sipërmarrje kriminale fqinje.

Pas pesë dekadash të luftës së udhëhequr nga SHBA-të kundër drogës dhe miliarda dollarëve të shpenzuara për ndalimin dhe ndjekjen e bosëve të kartelit, tregtia nuk ka qenë kurrë në të tilla nivele.

Prodhimi total i kokainës arriti një rekord të ri prej 1 mijë e 982 tonësh në vitin 2020.

Kokaina në Evropë nuk ka qenë kurrë më e bollshme apo më e lirë në terma realë, dhe trafikantët po rritin tregje fitimprurëse në Rusi, Kinë dhe pjesë të Azisë ku droga shkon dy ose tre herë më shumë.

Statistikat dëshpëruese nga lufta e dështuar e drogës kanë bërë që një numër politikanësh në Amerikën Latine të bëjnë thirrje për legalizimin e kokainës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore