Kosova

Tomilenko: E falënderoj popullin e Kosovës për mbështetjen e gazetarëve ukrainas


Presidenti i Unionit Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës, Sergyi Tomilenko, e ka falënderuar Kosovë për mbështetjen ndaj gazetarëve ukrainas, pas mbërritjes së Lyudmila Makey, të dielën e 17 prillit në Kosovë.

“Nga thellësia e zemrës sime, falënderoj popullin e Kosovës për mbështetjen e gazetarëve ukrainas”, ka shkruar Tomilenko në një postim në Twitter.

Makey është gazetarja e parë nga Ukraina që ka arritur në Kosovë.

Këtë e ka bërë të ditur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.

“Ajo është detyruar të largohet Ukraina për shkak të luftës. Zonja Makey është vendosur në Prishtinë dhe AGK-ja do të përkujdeset që ajo të vazhdojë punën nga Kosova”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

Ajo është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Pata kënaqësinë t’i uroj mirëseardhje në vendin tonë, znj. Lyudmila Makey, gazetare nga Ukraina. Ajo është gazetarja e parë ukrainase që ka arritur në Kosovë, pasi është detyruar të largohet nga Ukraina pas invazionit rus. Solidariteti ynë me popullin e Ukrainës dhe luftën çlirimtare kundër agresionit ushtarak rus janë të padiskutueshme”, shkroi Kurti në Facebook.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës këtë të diele mban konferencë për media me fillim nga ora 12:00. Gazetarëve do t’u adresohet gazetarja ukrainase që ka mbërritur në Kosovë, Lyudmila Makey.

Qeveria e Kosovës ka vendosur që t’i pranojë 20 gazetarë ukrainas të cilët janë larguar nga vendi i tyre shkaku i agresionit rus.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore