Kosova

“T’i kthehemi propozimit që e kemi në tavolinë”, Borrell para mbledhjes së Këshillit të Ministrave


Josep Borrell para gazetarve

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, ka folur sërish për krizën në veri dhe nevojën që Kosova dhe Serbia t’i kthehen sa më parë dialogut.

Borrell, duke folur për gazetarë, para fillimit të mbledhjes së radhës në Këshillin Evropian, ka thënë se do t’i informojë në detaje ministrat e shteteve anëtare për çfarë po ndodhë në veri të Kosovës.

“Ditëve të fundit jemi ballafaquar me telashe të mëdha në veri të Kosovës”, pohoi Borrell, prandaj tha se “e kam dërguar Miroslav Lajçak-un, përfaqësuesin tonë special në rajon, në Prishtinë dhe Beograd”.

Sa për agjendën e Këshillit, pohoi se “do t’i informoj liderët për situatën dhe të kërkojmë ulje të tensioneve dhe rikthim në dialog që është mënyra e vetme për perspektivë evropiane për Kosovën dhe Serbinë”.

Borrell shtoi se “është absolutisht e rëndësishme që këto lloj telashe të ndalen, barrikadat të hiqen, të kthehemi tek qetësia dhe te diskutimi”.

Kur përmend diskutimin, e ka fjalën për “diskutimin për propozimin që u kemi vënë në tavolinë palëve në mënyrë që të shikojmë për një zgjidhje të përhershme”.

Borrell flet për Hashim Thaçin në Forumin për të Drejtat e Njeriut: Ne e arrestuam, sa ishte akoma president

Borrell ka shkaktuar vetë tensione në Prishtinë, në një deklaratë të tij në Forumin për të Drejtat e Njeriut me temën “Ndaloni mosndëshkimin – Rruga drejt llogaridhënies dhe drejtësisë”, kur ka folur për arrestimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nga policia e EULEX-it.

Në pjesën kur Borrell foli për angazhimin e Bashkimit Evropian në vende të ndryshme ai përmendi se Bashkimi Evropian “po financon mekanizma për siç i quajmë zgjidhje post-konflikt” dhe këtu “do ta përmend Kosovën. Dhomat e Specializuara të Kosovës”.

“Siç e dini ish-presidenti i Kosovës është tani është atje duke pritur të gjykohet dhe policia jonë me mision në Kosovë EULEX-i ishte në krye për arrestimin e tij. E kemi arrestuar kur ishte president në zyrë. Dhe e kanë dërguar t’u përgjigjet akuzave, të ballafaqohet me drejtësinë”, tha Borrell.

Zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës – parti e themeluar nga Thaçi – mes tyre edhe nënkryetarja Vlora Çitaku, janë shprehur të irrituar me deklarimin e krye-diplomatit evropian.

“Gënjeshtrat e Borrellit e vërtetojnë politizimin e procesit gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së”, shkroi, pos tjerash, Çitaku.

Çitaku për deklaratat e Borrellit: Edhe një herë dëshmohet politizimi i procesit gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore