Kosova

Testi kritik i një kryeministri – shqetësimi i Gjermanisë dhe Francës nuk fshihet më


Jorn Rhode, Olivier Guerot dhe Albin Kurti/22 nëntor 2022

Gjermania dhe Franca – dy vendet më të fuqishme të Bashkimit Evropian dhe ndër sponsorët kyç të pavarësisë së Kosovës – nuk janë më entuziaste për të mbështetur interesat dhe aspiratat e saj euro-atlantike, ngase thirrjet e tyre për de-përshkallëzim të situatës në veri të vendit s’e kanë marrë vëmendjen e ekzekutivit kosovar apo kanë hasur në “vesh të shurdhër”.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rhode, së bashku me homologun e tij francez, Olivier Guerot, në një intervistë të gjatë për Radio Televizionin e Kosovës, kanë bërë me dije se Qeveria e Kosovës po shkon në prapakthim për shkak të mos-koordinimit me aleatët perëndimorë.

Të dy diplomatët pohuan njëzëri se vendimet e fundit të kryeministrit të vendit, Albin Kurti, janë duke ndikuar drejtpërdrejtë në përkeqësimin e marrëdhënieve biletarale mes shteteve që ata janë të thirrur t’i përfaqësojnë – një paralajmërim që asnjëherë nuk është dhënë më parë në historinë e re të Kosovës.

Ambasadori Rhode, përveç shprehjes së dukshme të shqetësimit për situatën politike dhe të sigurisë në vend, ka thënë se nuk është aspak lëvizje e zgjuar që kryeministri Kurti ka vendosur të ecë vetëm, ndërsa ka konfirmuar ftohjen e raporteve me Qeverinë e Kosovës për shkak të mos-përmbushjes së kërkesave të tyre për de-eskalim të menjëhershëm të situatës në veriun e vendit.

“Shpresojmë që Qeveria e Kosovës t’i dëgjojë miqtë e mirë dhe nuk po flas vetëm për vendet tona që ne përfaqësojmë këtu. Liderët tanë kanë shkruar shkresa duke i kërkuar Kosovës të na dëgjojë e nuk është mirë të ecët vetëm”, ka thënë ambasadori Rhode.

“Për momentin kemi ftohje të marrëdhënieve. Kur bëhen kërkesa që nuk dëgjohen, normalisht që nuk do t’i ngroh marrëdhëniet. Ajo që na duhet është një burrështeti e jo luftë deri në fund. Kjo nuk është rruga që duhet ndjekur dhe duhet të përafrohemi sërish. Shpresoj se Kosova do na dëgjojë”, deklaroi ai.

Shqetësimin me kursin e kryeministrit Kurti dhe “kokëfortësinë” e tij e ka shprehur edhe ambasadori Guerot, i cili ka thënë se një pjesë e ndihmës së bashkësisë së organizuar ndërkombëtare mund të copëzohet si pasojë e mos-dëgjueshmërisë ndaj kërkesave dhe pritjeve që kanë nga shteti që fillimisht e çliruan më 1999, pastaj edhe e përkrahën në mënyrë të vazhdueshme që nga viti 2008.

Teksa ka folur për paralajmërimet se Kosova mund të përballet me “masa ndëshkuese” nga Bashkimi Evropian, ai ka thënë se nuk bëhet fjalë për “sanksione”, por për “pasoja negative”, edhe pse është e vështirë të kuptohet dallimi mes të dyjave.

“Nuk do përmendja fjalën sanksione. As me thonjëza as pa thonjëza. Ne u jemi referuar pasojave negative. Kemi bërë shumë për Kosovën që nga viti 1999. Kemi mbështetur punën e madhe të vetë qyetarëve të Kosovës, por një pjesë e tyre mund të tjetërsohen. Po humbim diçka që ka qenë e rëndësishme në marrëdhëniet tona”, theksoi ambasadori Guerot.

“Kemi dëgjuar dhe kemi pasur përshtypjen që jemi dëgjuar edhe ne kur kemi pasur kërkesa. Tani në javët e fundit kemi përshtypjen se po dëgjohemi më pak e do të ishte e lehtë të kthehemi në pozitën ku dëgjohemi në mënyrë të ndërsjellë”, shtoi ndër të tjera diplomati francez.

Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale atje dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve janë kërkesat e përbashkëta të bashkësisë ndërkombëtare për kryeministrin Kurti, por këto jo që s’janë përmbushur, por ky i fundit ka dalë me kërkesa të vetat.

“Është vepruar kundër këshillave tona dhe kjo nuk e ka ndihmuar situatën. Jemi në dijeni se situata në veri është komplekse… Nëse këtë e kemi të qartë, atëherë mund të drejtoni veprimet diku tjetër e jo të ketë eskalim përtej eksalimit”, deklaroi ambasadori Rhode.

Ambasadorët janë po ashtu të vetëdijshëm se në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa një numër grupesh dhe fraksionesh i kërcënojnë me rezistencë autoritetet kosovare që mundohet të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv atje.

“Ka rregulla që duhen zbatuar që të bëhet ballafaqimi me këtë çështje. Normalisht të arrestohen ata që janë përgjegjës. Nuk ka kurrfarë dyshimi – ne nuk duam dhunë. Kryesit [e sulmeve ndaj paqeruajtësve të NATO-s dhe gazetarëve] duhet të sillen para drejtësisë”, pohoi ambasadori Guerot, por jo në atë mënyrë që me aksione policore t’i hedhin “benzinë zjarrit”.

Po qe se dëshirohet të shmanget konflikti i mëtejmë, mësimi nga episodi i dhunshëm në veri të Kosovës është se kërkohet angazhim i hershëm para se njëra apo pala tjetër t’i futen spirales së dhunës dhe të bëjnë që zgjidhja e balancuar në frymën e kompromisit të jetë e pamundur.

Ndryshe, thuhet se kriza qëndron në dramatizimin e së tashmes për ata të cilët kanë një agjendë për ta ndryshuar gjendjen, kurse në “luftën” për ndryshim të realitetit në terren, nuk ka fitues. Në veri të Kosovës aktualisht  ka çdo gjë nga pak përpos lirisë, demokracisë dhe shtetit ligjor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore