Lajme

Tenistja kineze hedh akuza ndaj ish-zëvendëskryeministrit për abuzim seksual


Tenistja kineze, Peng Shuai, ka akuzuar publikisht ish-zëvendëskryeministrin kinez, Zhang Gaoli, se e ka sulmuar seksualisht.

Në një postim në faqen e mediave sociale kineze Weibo, ylli i tenisit u shpreh se Gaoli e kishte “detyruar” të kryente marrëdhënie seksuale me të.

Është hera e parë që një akuzë e tillë bëhet kundrejt një prej liderëve të lartë politikë të Kinës.

Në postimin, bërë publik mbrëmjen e 2 nëntorit, 35-vjeçarja rrëfeu sesi pas dhunës lindi një lidhje e vrullshme me Zhang Gaolin, aktualisht 75 vjeç.

Megjithatë, pas vërshimeve të mijëra mesazheve nga persona të ndryshëm në pak minuta, postimi i tenistes kineze u hoq nga llogaria e saj.

Për disa orë në Kinë ishte e pamundur të bëje kërkime me emrin Peng, por edhe tenisin në përgjithësi.

Tenistja kineze, Peng Shuai

Peng ka bërë të ditur se nuk kishte prova për atë që denonconte, ndërsa Këshilli i Shtetit nuk e ka komentuar lajmin.

“Edhe pse jam e vetme, do ta them të vërtetën për ty”, shkruante Peng Shuai.

Ajo ka treguar se agresioni ka ndodhur pasi Zhang, kur ishte me shërbim në Tianjin, e kishte ftuar të luante tenis me të dhe bashkëshorten e tij.

Në atë kohë, tenistja sapo kishte filluar karrierën si profesioniste.

Peng Shuai ka qenë një nga tenistet që është stërvitur dhe ka udhëtuar e vetme.

“Jemi të gjithë të shqetësuar për atë që mund t’i ndodhë”, ka deklaruar aktivisti kinez, Lu Pin, i cili tani jeton në New Jersey.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore