Kosova

Telekomi i Kosovës i paguan çdo muaj Monakos 125 mijë euro, shkak mos implementimi i kodit +383


Telekomi i Kosovës

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike i Kuvendit të Kosovës ka shqyrtuar raportin vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditorit për pasqyrat vjetore të “Telekomit të Kosovës”, për vitin 2020.

ZKA ka hasur shumë probleme në ndërmarrjen publike, që po ka vazhdimisht paqëndrueshmëri financiare.

Sipas raportit të ZKA-së, “Telekomi i Kosovës” ende paguan tarifë mujore prej 125 mijë euro te Monako Telekom për shkak të mos implementimit të tërësishëm të kodit shtetëror +383.

Bazuar në marrëveshjen në mes ARKEP dhe Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikimeve (ITU), data e fundit për implementimin në tërësi të kodit +383 ishte parapa 31 Dhjetor 2018.

“Kompania ende nuk kishte arritur të implementojë plotësisht kodin shtetëror mobil si pasojë e mos alokimit të mirë të mjeteve. Si rezultat i kësaj, kompania për shërbimet e marra nga Monako Telekom për vitin 2019 dhe 2020 kishte paguar shumën prej 3,960,103 euro, si dhe kishte paguar masë ndëshkimore 55,000 euro në ARKEP”, thuhet në të gjeturat e ZKA.

Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditorit, ka gjetur edhe shkakun e ankesave të mëdha që bëhen nga qytetarët për internetin e dobët të telefonisë mobile.

Në raport thuhet se kompania ka të instaluar 544 stacione/BTS ( Base Transceiver Station) në të tri teknologjitë 2G, 3G dhe 4G, ku 94 % e territorit është e mbuluar me 2G, 80% me 3G dhe 70% e territorit me 4G.

Por, defekti është që vendosja e BTS-ve është bërë në vendin e gabuar.

“Kompania deri në fillim të vitit 2019 nuk kishte të dhëna për planifikimin e vendosjes së BTS-ave në territorin e Kosovës dhe si pasojë këta BTS ishin vendosur në zona të papërshtatshme duke ndikuar në mbulueshmëri jo të mirë të zonave dhe kualitet jo të mirë të shërbimeve”.

“Gjatë analizës së raporteve të vendosjes së BTS-sa dhe vëzhgimit fizik në zonat e caktuara, kemi identifikuar që kishte disa BTS-a të cilët ishin të vendosur në zona jo të përshtatshme nuk kishin mbulueshmëri të mirë të territorit. Për më tepër, vendosja e tyre ishte realizuar në zona ku kishte mungesë të infrastrukturës rrugore dhe energjetike dhe për vendosjen e një BTS-i ishin shpenzuar mesatarisht 90,000 euro”.

Telekomi po ashtu është dëmtuar në buxhet për shkak të kontratave jo të favorshme, pavarësisht gjendjes së vështirë financiare që ka kjo ndërmarrje publike.

Telekomi kishte nënshkruar kontratë me një operator ekonomik për shitjen e pordukteve tek palët e treta, që pas një viti ishte ndryshuar me një aneks, duke e dëmtuar këtë ndërmarrje publike me 366,630.52 euro.

“Kompania kishte lidhur kontratë për shitjen e produkteve të tyre me një Operator Ekonomik me datë 16.03.2015. Çmimet e produkteve dhe shërbimeve kanë të përfshirë TVSH-në dhe provizioni total i shitjes do të jetë 9.7% e transaksionit”, thuhet në raportin e ZKA-së.

“Pas një viti kompania kishte nënshkruar një aneks ku secilit lloj të provizionit që do të paguhet ndaj OE i është shtuar edhe 18% në emër të TVSH-së. Ndryshimet nga kontrata bazë që kanë ndodhur pas nënshkrimit të Memorandumit të mirëkuptimit për praktikat më të mira të llogaritjes së provizioneve, kompanisë i janë shtuar kosto e shitjes për provizionin për shitjet bazë prej 9.7% në 11.45 %. Ndryshimi i kushteve të kontratës ka rritur koston e provizioneve të shitjes me vlerë 366,630.52 euro”.

Probleme janë hasur edhe në autidimin e brendshëm. Për vitin 2020, Njësia e Auditimit të Brendshëm kishte arritur të finalizojë vetëm një prej shtatë auditimeve të planifikuara me Planin vjetor, ndërsa kishte kryer katër auditime tjera specifike, tre me kërkesë të bordit dhe një sipas kërkesës së ministrisë së linjës.

Për këto të gjetura, deputetët e Komisionit Mbikëqyrjen e Financave Publike, Eman Rrahmani, ka thënë se raporti i ZKA-së ka qëllim ta paraqes pamjen e qartë të Telekomit.

Problem Rrahmani e ka konsideruar edhe borxhin e madh që e ka kjo ndërmarrje.

“17 milionë është borxhi i mbledhur në kuadër të kësaj kompanie, që shënon një problem në vete”, ka thënë Rrahmani.

Që është gjendja e vështirë të Telekom e pranon edhe Ushtruesja e Detyrës së kryeshefes, Burbuqe Hana.

“Të gjeturat e raportit tregojnë mirë gjendjen e Telekomit, dhe janë të gjetura të rënda normalisht, që çdo vit është edhe më keq dhe pajtohemi me këtë”, ka thënë Hana.

Hana ka pranuar se Telekomi i Kosovës ende i paguan borxh Telekomit të Monakos, derisa të përfundon në tërësi implementimi i kodit të Kosovës, +383.

Ndërsa kryetarja e këtij komisioni, Hykmete Bajrami, ka kërkuar sqarime nga Hana për të ardhmen e Telekomit.

Bajrami ka marr një përgjigje nga Hana, por jo konkrete, vetëm se janë duke u përpjekur të punojnë.

Telekomi i Kosovës ka qenë kompania publike më profitabile, që i ka nda dividend Qeverisë së Kosovës çdo vit. Por, shkaku i keq menaxhimit, kjo kompani është zhvlerësuar, duke u futur në borxhe të mëdha, e që rrezikon falimentimin. Njëra ndër problemet që e kanë përcjell Telekomin e Kosovës kanë qenë keqpërdorimet financiare dhe mbi punësimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore