Lajme

“Të mbërthyer në ferr” – dëshmia e një vajze nga aeroporti i Kabulit


“Ju lutem, na largoni nga këtu! Jemi të mbërthyer në këtë ferr!”

Kjo është fjalia që shqipton një vajzë (stafi redaktorial, për çështje sigurie, vendos ta thërrasë Sara) në telefonatën drejtuar “The Guardian”.

“Për plot katër ditë”, vijon rrëfimi rrëqethës i “The Guardian”, “ajo ka pritur me familjen jashtë portave të Kabulit, me një dëshirë të vetme: evakuimi nga një avion amerikan”.

Më tej, Sara tregon se kishte parë më shumë se 15 njerëz që pushkatoheshin para syve të saj.

Sikur të mos mjaftonte kjo, ajo ishte përballur me dhunën barbare që talebanët i kishin shkaktuar familjes së saj.

“Armë, përplasje, gjak, torturë – shihej jashtë aeroportit – shpresa ndodhej përtej tij”.

“Era e plehrave përkeqësohej dhe ushqimi po pakësohej”, thotë Sara.

Së bashku me familjen e saj, kanë marrë vizën amerikane për t’u larguar nga Afganistani.

Nga Ambasada e SHBA-ve, atje u ishte thënë të shkonin në bazën ushtarake amerikane në aeroportin e Kabulit.

Me vete ata kishin marrë një krevat, por kur u gjendën atje, të gjitha portat u mbyllën përpara fytyrës së tyre.

“Askush nuk lejohet të kalojë, edhe me viza”, tha ajo.

Sipas Sarës, askush nuk po i orienton se në cilën portë duhet të shkonin, as se kur fluturimet amerikane do të nisen.

Të gjithë ata që presin jashtë – sipas vajzës – “janë familje të pajisura me viza apo pasaporta amerikane”.

Që nga rënia e Kabulit të dielën e kaluar, skenat me njerëz të dëshpëruar rreth aeroportit të kryeqytetit janë bërë imazhe përcaktuese të javës së parë të sundimit të talebanëve.

Mijëra njerëz, të shumtë pa letra, kanë vazhduar të grumbullohen rreth aeroportit, në një përpjekje të dëshpëruar për t’u larguar.

Njerëzit janë mbërthyer në rrotat e aeroplanit në asfalt, ndërsa avionët fluturonin dhe binin për vdekje.

Nuk ka një sistem koherent për evakuimet dhe në mungesë të informacionit, ata pak, që ia kanë dalë t’i kalojnë pikat e kontrollit të talebanëve për të arritur në aeroport, kanë mbetur për ditë aty.

Të paktën 15 persona janë konfirmuar zyrtarisht të vdekur në aeroport, por ata në vendngjarje tregojnë se numri ishte shumë më i lartë.

Fluturimet për evakuimin kanë nisur, por tepër ngadalë.

Të premten, një zyrtar amerikan i Mbrojtjes tha se 5 mijë e 700 njerëz, përfshirë rreth 250 amerikanë, u larguan nga Kabuli.

Megjithatë shumë prej atyre, që kanë ngecur në Kabul me viza të vlefshme amerikane, nuk ia kanë idenë sesi do të jenë fluturimet.

Zyrtarë të administratës Biden kanë pranuar se nuk ka ende shifra për numrin e saktë të njerëzve që kanë nevojë për evakuim.

Marrë nga The Guardian, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore