Kosova

Të burgosurit provojnë ta sulmojnë Granit Plavën, të dyshuarin për vrasjen e Liridona Ademajt


Ilustrim

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), Ismail Dibrani, ka konfirmuar të dielën se ndaj të dyshuarit kryesor për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor në Prishtinë, Granit Plava, ka pasur një tentim-sulmi nga të burgosurit tjerë në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

“Në momentin kur kanë tentuar të burgosurit ta sulmojnë, ka reaguar menjëherë stafi dhe e ka parandaluar konfliktin. Ka pasur tentim-sulm sepse është burg, dhe rasti është i ndjeshëm, presion i opinionit ka qenë i madh, mund të ketë kërcënime, tentim për sulm, por asnjëherë nuk ka pasur kontakt fizik”, ka thënë Dibrani për mediat në Prishtinë.

Dibrani ka mohuar se i burgosuri në fjalë ka tentuar të vetëvritet. Ai ka treguar se i burgosuri ka tentuar ta dëmtojë batanijen në dhomë, porse nuk ka pasur elemente të vetëvrasjes apo vetëlëndimit, ndërsa ka njoftuar se për shkak të këtyre rasteve, edhe niveli i sigurisë është rritur.

“Jo. Ka pasur një tentim nga ai i burgosur për ta dëmtuar batanijen në dhomë, në momentin që është hetuar, stafi ka arritur dhe e ka larguar batanijen nga dhoma dhe është zëvendësuar. Nuk ka pasur as tentim për vetëlëndim e as vetëvrasje, në momentin që është vërejtur se batanija është dëmtuar, reagimi ka qenë nga stafi”, ka theksuar ndër të tjera Dibrani.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimi prej 30 ditësh ndaj Plavës dhe dy të dyshuarve tjerë – Naim Murseli dhe Kushtrim Kokalla – për vrasjen e 30-vjeçares të premten e 29 nëntorit në rrugën “Dalip Alshiqi” në kryeqytet, përkatësisht në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore