Kosova

Tahiri: Me sanksionet evropiane po paguajmë kosto të lartë për eksperimentet politike të kësaj Qeverie


Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se me sanksione evropiane – të vendosura në qershor të vitit të kaluara për shkak të veprimeve të qeverisë në Veri – po paguajmë një kosto të lartë për eksperimentet politike dhe diplomatike të ekzekutivit aktual.

“Anashkalimi i Kosovës, i shoqëruar me mesazhet nga vizitat e Presidentit [Emmanuel] Macron dhe Kryeministrit [Olaf] Scholz në Serbi, është një sinjal i keq për ne”, ka shkruar Tahiri në Facebook duke komentuar vizitat e dy liderëve më të fuqishëm evropian në Beograd, ku nënshkruan marrëveshje të rëndësishme me Beogradin zyrtar, si ajo për litiumin serb dhe ajo për avionët luftarakë “Rafale”.

Deputeti i AAK-së potencoi se përderisa Serbia po i thellon raportet e saj bilaterale me shumë shtete të BE-së, “lidershipi ynë operon në një realitet virtual dhe pa vizion të forcimit të subjektivitetit tonë ndërkombëtar”.

“Thellimi i tyre nuk ndodh pa pasoja dhe efekte negative kundër Kosovës. Ndërkohë, Kosova po portretizohet si një vend në krizë”, pohon ai, duke shtuar se “kjo nuk mund të vazhdojë pafundësisht!”.

Tahiri konsideron se duhet një strategji e qartë për të forcuar pozicionin diplomatik dhe për të ndërtuar partneritete të qëndrueshme.

“Pa këtë angazhim, rrezikojmë të mbetemi periferikë në zhvillimet rajonale. Koha për veprim po ikën shpejt: ishte dje, është tani!”, beson ai.

Ndryshe, të enjten, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka vizituar Serbinë, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Nëpërmjet një ceremonie solemne në prani të Macron e Vuçiç-it,  si dhe Ministrit të Mbrojtjes të Serbisë, Bratislav Gashiç dhe Eric Trapije, drejtor ekzekutiv i kompanisë “Dassault”, u nënshkrua marrëveshja për blerjen e 12 avionëve luftarak nga Franca.

Ndërsa, në një konferencë të përbashkët për media me Vuçiç-in, Macron, falënderoi homologun e tij serb për, siç tha ai, fillimin e zbatimit të Marrëveshjes Bazike (Bruksel më 27 shkurt, Ohër më 18 mars 2023).

Në këtë konferencë nga Beogradi, në krah të Vuçiç-it, Macron u përkujdes të theksoi se është Kosova ajo që me veprime të njëanshme po dërgon “sinjale jo të mira” dhe po shkakton shqetësim në komunitetin ndërkombëtar.

“Së bashku me partnerët tanë evropianë, kemi thënë se sa të shqetësuar jemi për hapat e fundit të njëanshëm të Kosovës që nuk dërgojnë sinjal të mirë”, tha Macron, duke iu referuar vendimeve të muajve të fundit të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e disa degëve të Postës së Serbisë në Veri të vendit dhe synimeve të saj për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Në këtë kontekst, Macron e garantoi Vuçiç-in se Parisi zyrtar do të vazhdojë të monitorojë “kushtet në të cilat jeton komuniteti serb në Kosovë”.

“Prandaj, ne jemi veçanërisht të përkushtuar për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, shtoi ai.

Duke folur për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Macron tha se normalizimi i raporteve ndërmjet dy vendeve është pjesë përbërëse e procesit të integrimit drejt Bashkimit Evropian.

Tutje, ai potencoi se shteti që ai udhëheqë do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për të ndërmjetësuar procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore