Kosova

Sveçla pasi iu ndalua vizita në Luginë: Dëshmi e qasjes destruktive të Serbisë


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas ndalimit të vizitës së tij në Luginë të Preshevës nga Serbia, ka thënë se ky akt i shtetit serb ndaj vizitës së tij është dëshmi e qasjes destruktive dhe shtypjes së vazhdueshme të saj ndaj shqiptarëve që jetojnë atje.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka bërë me dije se ftesën për ta vizituar Luginën e Preshevës – Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë – e kishte marrë më 29 dhjetor nga Nevzad Lutfiu, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar.

“Sipas agjendës, ishin planifikuar takime në selitë e Këshillit në tri komuna si dhe me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi. Me kënaqësi kam pranuar ftesën dhe kam filluar përgatitjet”, shkroi ai.

“Në respektim të marrëveshjes së Brukselit dhe praktikave të deritanishme, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës kemi përcjellë agjendën dhe informatat e nevojshme të delegacionit në zyrën ndërlidhëse të Serbisë për leje të hyrjes në Serbi dhe realizim të vizitës”, shtoi.

Mirëpo, kreu i MPB-së theksoi se në orët e vona të së mërkurës, nga zyrtari ndërlidhës i Kosovës në Beograd “jam njoftuar se kërkesa jonë për vizitën e sotme në Luginë është refuzuar nga autoritetet e Serbisë pa asnjë arsye shpjegim”.

“Ky akt i Serbisë ndaj vizitës sime dëshmon qasjen destruktive dhe shtypjen e vazhdueshme të saj ndaj shqiptarëve të Luginës”.

Ky refuzim pa asnjë arsyetim nga Serbia disa orë para realizimit të vizitës, pohon Sveçla, “nuk zbehë qëllimet dhe angazhimin tonë për shqiptarët e Luginës”.

“Ndër të tjera, nuk do të zbehë as dëshirën dhe qëllimin tim për realizim të vizitës atje, për të ndarë me shqiptarët e Luginës shqetësimet e padrejtësitë me të cilat ata ballafaqohen dhe angazhimet e institucioneve të Republikës sonë për ta”, potencoi.

Në përfundim, ministri Sveçla theksoi se për çështjen e vizitave të zyrtarëve shtetërorë, “ne do të veprojmë mbi parimet e reciprocitetit si vlerë e barazisë mes dy shteteve tona”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore