Kosova

Shkatërrohet një laborator i drogës në Prishtinë


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se është shkatërruar një laborator i drogës i llojit kokainë në Prishtinë, teksa ka theksuar se “këtij fenomeni i kemi shpallur luftë që nga marrja e mandatit dhe kemi qenë të pakompromis në këtë drejtim”.

“Laboratori i sotëm është i 19-ti i shkatërruar në tri vitet e fundit, 40 grupe kriminale që janë marrur me këtë veprimtari janë shkatërruar e janë sekuestruar mbi 2.500 kilogramë sasi të llojeve të ndryshme të drogave”, shkroi ai në Facebook.

Sveçla ka potencuar se kjo betejë do të vazhdojë dhe askush nuk do të jetë i paprekshëm e i fuqishëm para ligjit, meqë ka shtuar se “ky fenomen që rrezikon jetën e fëmijëve e rinisë sonë dhe që shkatërron harmoninë në familjet e vendit tonë, do të goditet në vazhdimësi dhe pa mëshirë nga ana jonë”.

“Të gjithë kriminelëve, të të gjitha ngjyrave, iu them që nuk ka hapësirë për veprimtarinë e tyre kriminale në Kosovë. Prapa hekurave është vendi për ta”, tha kreu i MPB-së.

Ndërkaq Policia ka njoftuar se pas një pune hetimore rreth dhjetë mujore dhe aplikimit të masave të veçanta të hetimit nga hetuesit e antidrogës në Prishtinë, në podrumin e një banese-vendbanimi është gjetur substancë e dyshuar narkotike në gjendje të lëngshme.

“Dyshohet që ky ‘Laborator’ për përpunimin e substancave narkotike të llojit Heroinë dhe Kokainë është përdorur nga të dyshuarit për një periudhë kohore, ku pas përpunimit të substancave të njëjtat i paketojnë në doza të vogla për shitje në rajone të ndryshme të vendit”, thuhet në njoftim.

Sipas organeve të rendit, Policia me njësitet e saj të antidrogës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e përdorimit, kultivimit apo shitjes së substancave narkotike, përderisa masa të ashpra ligjore do të ndërmerren ndaj të gjithë atyre personave të përfshirë në vepra të tilla kriminale që në një mënyrë apo tjetër rrezikojnë shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore