Kosova

Sveçla i dërgon telegram ngushëllimi ministrit Spasovski për aksidentin tragjik në Bullgari


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas aksidentit tragjik që ndodhi martën e 23 nëntorit në Bullgari, ku humbën jetën 46 persona, i ka dërguar telegram ngushëllimi, Ministrit të Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski.

“Mendjet, zemrat dhe lutjet tona janë me të gjithë qytetarët tuaj të prekur nga kjo tragjedi. Në raste të tilla si kjo dhimbja është e pa përshkueshme, por duke qëndruar si shtete krah njëra tjetrës ajo bëhet më e përballueshme”, ka shkruar Sveçla.

“Me pikëllim të madh pranuam lajmin e aksidentit tragjik të ndodhur në Republikën e Bullgarisë nga ku humbën jetën dhjetëra qytetarë tuaj e u lënduan shumë të tjerë”.

Pamje nga aksidenti në Bullgari

Teksa, i shprehi ngushëllime për viktimat dhe u uroi shërim të lënduarve, Sveçla, ka shprehur gatishmërinë e tij si ministër për të ndihmuar.

“Pranoni ngushëllimet tona për jetët e humbura dhe shpresojmë në shërimin sa më të shpejtë të lënduarve. Më lejoni që si Ministër i Punëve të Brendshme, në emër të gjithë zyrtarëve që i përfaqësoj, të shprehë gatishmërinë time të plotë për ndihmë me të gjitha kapacitetet që posedojmë”.

Lidhur me rastin, të menjëhershme kanë qenë reagimet nga liderët kosovarë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas aksidentit tragjik në Bullgari, ndërsa përmes një postimi në Facebook, u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave.

Albin Kurti – Kryeministër i Kosovës

Mes tjerash, Kurti, ka theksuar se Kosova është e gatshme të ofrojë ndihmën e saj në çdo kapacitet.

“I trishtuar dhe i pikëlluar nga lajmi për aksidentin tragjik në Bullgari. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe ndaj dhimbjen me familjet e viktimave, dhe u bashkohem lutjeve për shërim sa më të shpejtë të të lënduarve”, ka shkruar Kurti në Facebook.

E trishtuar nga lajmi tragjik është shprehur edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Vjosa Osmani – Presidente e Kosovës.

Ajo është zotuar t’iu qëndrojë afër shteteve të prekura nga kjo fatkeqësi, teksa ka rikujtuar aksidentin e ndodhur në Kroaci, në korrikun e këtij viti, ku humbën jetën 10 persona me prejardhje nga Kosova dhe mbeten të plagosur dhjetëra të tjerë.

“U shprehim ngushëllime popullit dhe autoriteteve të fqinjit tonë, Maqedonisë së Veriut, prej nga vinin shumica e udhëtarëve, si dhe atyre të Bullgarisë, në tokën e të cilëve ndodhi tragjedia”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore