Sulmi terrorist në Banjë, Policia e Kosovës sërish kryen bastisje në Veri

Pamje nga vendi i ngjarjes

Dreni Himbeqa
14.10.2023 10:55
Loading Icons...

Policia e Kosovës, këtë të shtune, po zhvillon aksion e tretë gjatë kësaj jave në Veri të vendit.

Aksioni i Policisë së Kosovës është e lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit.

Lajmin në fjalë e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani.

“Po, kemi operacion në Veri të vendit”, ka thënë Elshani pa dhënë detaje të hollësishme përveçse ka theksuar se për çdo zhvillim rreth këtij operacioni “do të njoftoheni me kohë”.

Gjatë javës, Policia e Kosovës, ka realizuar edhe dy aksione të tjera në katër komunat veriore që ndërlidhen me sulmit terrorist në Banjë.

Të martën, Policia e Kosovës zhvilloi një aksion në një depo afër stacionit të Policisë së Kosovës në Komunën e Leposaviqit.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës Veriore, Veton Elshani, njoftoi se gjatë këtij aksioni janë konfiskuar disa vetura në pronësi të komunës.

Fillimisht operacioni ishte iniciuar me dyshimin se në depon në fjalë ka pasur armatim.

Një ditë më pas, të mërkurën, Policia e Kosovës kreu bastisje edhe në tri lokacione në Veri.

Pamje nga vendi i ngjarjes

Çfarë ndodhi?

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua të martën nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake.

Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Të fundit

Aktuale