Lajme

Sulmi terrorist në Banjë, Kosova kërkon ndihmë tek vendet e rajonit për hetimet


Prokuroria e Bosnje e Hercegovinës ka thënë se ka pranuar një parashtresë nga institucionet e Kosovës për të hetuar origjinën e armëve të konfiskuar në Banjë, të cilat ishin përdorur në sulmin terrorist më 24 shtator.

Pretendimet se armët e konfiskuara në Banjë të Zveçanit, terroristi Milan Radojiçiç, i kishte siguruar nga Tuzlla e BeH-së, në periudhën janar-shtator të këtij viti, i kishte artikuluar shteti i Serbisë përmes Prokurorisë serbe.

Mirëpo, në një përgjigje për “Radio Evropa e Lirë”, Prokuroria e BeH-së ka theksuar se “informacionet e disponueshme paraprake tregojnë se nuk bëhet fjalë për armë të mbetura nga lufta në Bosnje e Hercegovinë”.

“Ndoshta bëhet fjalë për armë të prodhimit më të vonshëm, që nuk janë me prejardhje nga Bosnja. Por, përmes Institutit të bashkëpunimit ndërkombëtar, do të kryhen të gjitha aktivitetet e nevojshme për t’i përcaktuar me siguri të gjitha detajet”, tha Prokuroria e Bosnjës.

Ndërsa, nga Prokuroria Speciale e Kosovës kanë konfirmuar për REL-in se kanë kërkuar bashkëpunim nga disa shtete të rajonit në lidhje me hetimet për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Për sulmin terrorist më 24 shtator, Kosova ka akuzuar drejtpërdrejt Serbinë, derisa Milan Radojiçiç, person i afërt i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, mori përgjegjësinë.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kanë dënuar në termat më të ashpër sulmin terrorist në Banjë, teksa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë, por edhe bashkëpunim pa kushte në këtë proces nga ana e Serbisë.

Kosova ka kërkuar nga BE-ja që për shkak të këtij sulmi, Serbisë t’i vendosen sanksione, mirëpo për një gjë të tillë nga Unioni kanë theksuar se do të vendosin pasi që të përfundojnë hetimet.

Nga ana tjetër Serbia nuk është distancuar fare nga kjo ngjarje, përkundrazi, ka shpallu ditë zie kombëtare në nderim të terroristëve të vrarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore