Lajme

S’shkoi në tubime, Kurti pret në Qeveri liderët e “VLEN”: Morëm mbështetje nga ai që vlen, kundër korrupsionit, Ballkanit të Hapur e regjimit të vjetër


Kreu i Lëvizjes Demokratike në Maqedoni të Veriut, Izet Mexhiti, ka njoftuar se i shoqëruar nga liderët VLENT-it, kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, ai i Alternativës, Afrim Gashi dhe Bekim Qoku, përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në RMV, janë takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Prishtinë.

“Sapo u takuam në Prishtinë dhe morëm mbështetje të parezervë nga kryeministri Albin Kurti, kryeministri që VLEN, kundër korrupsionit, kundër Ballkanit të Hapur, kundër regjimit të vjetër. Ndryshimi po vjen, fitorja do jetë e thellë”, ka shkruar ai në Facebook.

Maqedonia e Veriut në fund të prillit dhe në fillim të majit do të përballet me procese elektorale. Fillimisht do të jenë ato presidenciale, raundi i parë më 24 prill, ndërsa i dyti më 8 maj, së bashku me ato parlamentare.

Në kampin shqiptar në zgjedhjet presidenciale do jenë dy kandidatë shqiptarë nga 7 gjithsejtë. Bujar Osmani nga koalicioni “Fronti Evropian” – që përbëhet nga disa parti shqiptare dhe parti të minoriteteve – i ideuar nga kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Nga ana tjetër është Taravari që ka mbështetjen e “VLEN”-it dhe të kryeministrit Kurti – madje kandidatura e kryetarit të Gostivarit për president ishte bërë pas një takimi që kishte pasur me Kurtin në Prishtinë, së bashku me partnerët e tij të koalicionit.

Ndërsa për zgjedhjet parlamentare, përveç mbështetjes, Kurti do të ketë në listat e “VLEN”-it edhe kandidatë për deputetë, 3 sosh, me në krye këshilltarin e tij, Bekim Qoku.

Duke mbështetur opozitën shqiptare, kryeministri është rreshtuar kundër partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut, Bashkimit Demokratik për Integrim, rrjedhimisht kryetarit të saj Ahmeti

Lidhur me ndërhyrjet e Kurtit në zgjedhje të Maqedonisë së Veriut ka folur edhe Ahmeti.

Në një intervistë për Albanian Post, ai ka treguar rreziqet malinje që mund të vinë në të ardhmen nga përfshirja e Kurtit në procesin elektoral të Maqedonisë së Veriut.

Kjo ndërhyrje e Kurtit, sipas liderit të BDI-së i hap rrugë apetiteve të vendeve tjera si Bullgaria dhe Serbia, të cilat mund të organizojnë partitë e tyre në Maqedoni të Veriut.

Përfshirja e Kurtit në zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare të vendit fqinj nuk është e para.

Ai edhe më herët kishte mbështetur kandidatin e pavarur shqiptar – të përkrahur nga opozita shqiptare – për president Blerim Rekën, duke vepruar ndryshe nga partia më e madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut, BDI-ja.

Po ashtu, edhe në zgjedhjet parlamentare të 2021-së, Kurti kishte mbështetur opozitën shqiptare, përkatësisht koalicionin në mes të Aleancës për Shqiptarët të Ziadin Selës dhe Alternativës së Afrim Gashit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore