Lajme

Spiuni rus që u shpall “non grata” nga BE-ja vëzhgues i zgjedhjeve në Serbi


Ilustrim

Diplomati rus, i cili është dëbuar nga kryeqendra evropiane, Bruksel, nga Bashkimi Evropian (BE) për spiunazh të dyshuar dhe me shpjegimin se u angazhua në “veprimtari të paligjshme dhe përçarëse”, do të jetë vëzhgues në zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi që pritet të mbahen më 17 dhjetor, si pjesë e misionit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE).

Siç ka raportuar “Radio Evropa e Lirë”, emri i diplomatit rus është Aleksandër Studenikin (49 vjeçar), i cili ka qenë këshilltar në misionin e përhershëm të Federatës Ruse në BE.

Studenikin, në prill të 2022, dy muaj pas fillimit të pushtimit rus në Ukrainë, ai dhe 18 diplomatë të tjetër rusë ishin shpallur persona non grata.

BE-ja kishte njoftuar se diplomatët rusë nga lista e zezë kanë qenë të angazhuar në aktivitete “kundër interesave dhe sigurisë së BE-së dhe shteteve të saj anëtare”.

Mirëpo, tani Studenikin është në mesin e grupit prej 30 vëzhguesve zgjedhorë që më 17 dhjetor të këtij viti përfaqësojnë OSBE-në në zgjedhjet në Serbi.

Më parë, raportet e mediave sugjeruan se Studenikin ishte një punonjës i shërbimit të intelegjencës së jashtme të Rusisë, i njohur si “SRV”

Një zyrtar i lartë evropian me akses në informacionin e klasifikuar i ka thënë REL-it se Studenikin punon për SVR, ndonëse vetë ai mohon çdo lidhje me shërbimet e inteligjencës.

Studenikin është një nga katër rusët në listën e vëzhguesve afatgjatë në misionin e vëzhgimit të Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR).

Këta vëzhgues janë përgjegjës për monitorimin e të gjithë procesit zgjedhor, domethënë, siç specifikohet në faqen e OSBE-së, ata janë të ngarkuar për mbledhjen e informacionit dhe “të kuptuarit më të thellë të procedurave të përgjithshme administrative dhe rrethanave të fushatës”.

Grupi përfshin gjithashtu vëzhgues nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Danimarka, Bjellorusia dhe shtatë vende të tjera.

Emërimi i Studenikin është i përkohshëm, megjithatë, ka disa tregues se Serbia është bërë një destinacion i shpeshtë për diplomatët rusë të dëbuar nga BE.

Serbia është një nga vendet e pakta evropiane që nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë për shkak të agresionit të Ukrainës nga Kremlini.

Studenikin, i cili është kontakruar nga REL-i ka thënë se bazë për dëbimin e tij nga Brukseli ishin informacionet në llogarinë e tij publike në LinkedIn, ku thuhej se ishte i punësuar në Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike.

“Rreth 500 persona u dëbuan nga Evropa. Rezulton se nëse je rus, je edhe spiun. Nëse ai ishte diplomat apo jo, nuk ka rëndësi”, tha Studenikin.

Nga ana tjetër, zëdhënësja e ODIHR-it, Katia Andrus, po për REL-in ka theksuar se organizata “nuk ishte e informuar” se BE-ja e kishte shpallur Studenikinin persona non grata. “Vëzhguesit e zgjedhjeve zgjidhen nga vendet e tyre dhe duhet t’i përmbahen kodit të sjelljes së vëzhguesve”, shtoi ajo.

“Çdo shkelje serioze e kodit do të çojë në tërheqjen e menjëhershme të akreditimit të vëzhguesit”, tha Andrus.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore