Kosova

Specialja arreston në Belgjikë “Komandant Ujkun”


Pjetër Shala, i njohur si ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me nofkën “Komandant Ujku”, është arrestua të martën në Belgjikë, nga autoritetet belge, duke zbatuar kështu fletarrestin dhe aktakuzën e konfirmuar për krime luftë, të lëshuar nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Në njoftimin dërguar nga zyra për medie pranë kësaj gjykate thuhet se “Pjetër Shala do të mbahet i ndaluar në Belgjikë, në pritje të transferimit të tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë”.

Në këtë komunikim me publikun nuk janë prezantuar më shumë detaje me arsyetimin se së shpejti do të jepet më shumë informacion, ku do të përfshihet edhe informacioni për nxjerrjen publike të aktakuzës së konfirmuar me redaktimet e nevojshme.

“Në bazë të rregullës 88 të Rregullores së Procedurës dhe Provave, aktakuza bëhet publike jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit”.

Në shkurt të këtij viti Shala kishte publikuar lajmin se ishte intervistuar nga hetues të Gjykatës Speciale në Bruksel, në cilësinë e të dyshuarit nga hetuesit e Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Me banim në Belgjikë, Shala kishte deklaruar se gjatë intervistimit nuk ka pasur avokat pasi nuk ka kushte për të pasur një avokat mbrojtës.

Pjetër Shala ka thënë se ka qenë i angazhuar në zonën e Dukagjinit si komandant në fshatin Dujakë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore