Shqipëria

SPAK kërkon arrest në shtëpi, deputetët e Rithemelimit padi në Kushtetuese: Të pezullohet masa shtrënguese ndaj Berishës


Deputetët e Grupimit Berisha kanë dorëzuar pasi në Kushtetues për të kundërshtuar vendimin e Prokurorisë së Posaçme, SPAK ku kërkohet arrest në shtëpi për Berishën.

“Ne kërkuesit, me cilësinë e 1/5 të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, po Ju parashtrojmë në vijim faktet, provat dhe argumentat ligjore, se përse kemi paraqitur këtë kërkesë, e cila në thelb synon të zgjidhë konfliktin e kompetenca ndërmjet institucionit të Kuvendit nga njëra anë dhe pushtetit gjyqësor nga ana tjetër, për sa i përket heqjes dhe/ose kufizimit të lirisë ndaj një Deputeti, në të gjitha format, kur këto kufizime të lirisë kryhen nga pushteti gjyqësor pa pyetur, pa kërkuar e pa marrë paraprakisht autorizimin e shprehur të Kuvendit”, thuhet në shkresë.

Një ditë më parë ish-kryeministri Sali Berisha në një konferencë për mediat ka reaguar për shkresën e dorëzuar këtë të martë nga Prokuroria e Posaçme në Kuvend ku kërkonte autorizim për “arrest shtëpie” ndaj tij.

“Çfarëdo vendimi pas autorizimit të Kuvendit do ta respektoj pa asnjë diskutim. Qëndrimi im i përsëritur ka të bëjë me kushtetutshmërinë e vendit. Nuk mund të bëhesh kurrë njeriu që zbatoi një vendim anti-kushtetues. Ishte nja akt i shkuarjes së kushtetutës në zyrat e prokurorëve dhe gjykatës. Tani parlamenti të vendosë çfarë të dojë”, ka thënë ai.

Berisha theksoi se kërkesa e SPAK për arrestimin e tij është e bazuar mbi një vendim antikushtetues. Ai hodhi akuza ndaj drejtësisë duke thënë se vendimi i SKAP është i paligjshëm, ndërsa tha se opozita do të vijojë betejën.

“Tani, edhe njëherë. Vendimi i parlamentit do të zbatohet nga Sali Berisha, sado që vendimi i skap është vendim i paligjshëm, i bazuar në një vendim të paligjshëm. Por nëse parlamenti, se edhe njëherë, kufizimet ndaj drejtësisë, imuniteti, nuk janë të individit, janë në radhë të parë të parlamentit. Janë të parlamentit në mënyrë që askush të mos mund ta destabiliziojë me procedura të tjera parlamentin. Ky është morali i tyre. Pastaj sigurisht individi është pjesë e parlamentit”.

Prokuroria e Posaçme SPAK ka çuar në Kuvendin e Shqipërisë një shkresë ku kërkon ndryshimin e masës së sigurisë për Sali Berishën.

Mësohet se ndaj Berishës kërkohet një masë e re sigurie, “arrest shtëpie”.

Dhe ky vendim për ndryshimin e masës vjen teksa Berisha nuk ka zbatuar masën e detyrimit me paraqitje.

Në kërkesën e dërguar nga SPAK drejt Kuvendit thuhet se “mbështetur në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërise, nenin 231, 260, 288, 289 të K.Pr. Penale, si dhe në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nenet 13 dhe 118, bashkëlidhur ju përcjellim kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha”.

Këtë, përmes “zëvendësimit të masës së sigurimit personal shtrëngues nga ajo e ‘Detyrimit për t’u paraqitur në Policinë Giyqësore’, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe ‘Ndalim i daljes jashtë shtetit’ parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, në atë të arrestit me burg/arrest në shtëpi, parashikuar nga nenet 238/237 të K.Pr.Penale, në kuadrin e procedimit penal nr. 287 të vitit 2020, të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit de Krimit te Organizuar Tiranë”, vijon kërkesa.

Akuzat e ngritura sakaq lidhen me privatizimin e ish-kompleksit Partizani më shumë se një dekadë më parë.

Në arrest shtëpie është aktualisht bashkëshorti i vajzës së tij, Jamarbër Malltezi, i cili u arrestua me urdhër të Gjykatës së Posaçme.

Më pas ai u lirua nga Gjykata e Apelit dhe i janë bllokuar 25 pasuri.

Ndërtimi i ngjarjes

Strukturat e Posaçme Anti-Korrupsion duke përfshirë Prokurorinë (SPAK), Gjykatën (GJKKO) dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) u vunë në aksion të shtunën e 21 tetorit për të arrestuar dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi.

Ky aksion hetimor dhe policor ishte ndër më të bujshmit e strukturave të themeluara dhe të financuara nga autoritetet amerikane që prej krijimit të tyre.

Ndalimi i Malltezit në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” u ekzekutua nga agjentët e BKH-së pasi GJKKO-ja kishte caktuar masën “arrest me burg” të kërkuar më herët nga prokurorët e SPAK-ut, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.

Pas disa orësh në komisariatin e Rinasit, Malltezi u shoqërua nga forcat e policisë në ambientet e bllokut të sigurimit në rrugën ‘Mine Peza” në Tiranë ku pritet të qëndrojë derisa të dalë para GJKKO-s për rivlerësim të masës së sigurisë.

Dënim i mundshëm

Neni 260 i Kodit Penal thotë se:

Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet.

Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, nëpërmjet:

a) këmbimit ose transferimit të pasurisë, me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të saj, duke ditur se kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;

b) fshehjes ose mbulimit të natyrës së vërtetë, burimit, vendndodhjes, disponimit, zhvendosjes, pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;

c) fitimit të pronësisë, posedimit ose përdorimit të pasurisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;

ç) kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave;

d) investimit në veprimtari ekonomike ose financiare të parave a sendeve, duke ditur se janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale;

dh) këshillimit, ndihmës, nxitjes ose thirrjes publike për kryerjen e secilës prej veprave të përcaktuara më sipër;

– dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore