Shqipëria

SPAK është një strukturë që duhet ruajtur si ‘xhevahir’ në Shqipëri, thotë Backman


David Backman – këshilltari ligjor në ambasadën e SHBA-ve – ka thënë se Prokuroria e Posaçme është një strukturë që duhet ruajtur si “xhevahir” në Shqipëri.

Këtë, ai e ka thënë gjatë takimit ku ishte i pranishëm edhe kreu i SPAK, Altin Dumani, në universitetin e Shkodrës.

Ndër të tjera Backman ka thënë se shumë shtete që nuk e kanë një strukturë të tillë e kanë zili SPAK-un dhe se pavarësisht mbingarkesës së institucionit, puna do të lehtësohet nëse situata e shoqërisë në vend përmirësohet.

“Jua them me siguri se SPAK e kanë zili shumë shtete të tjera që nuk e kanë si strukturë. SPAK duhet ruajtur si xhevahir në Shqipëri. Është e vërtetë që SPAK është një institucion i mbingarkuar por me një shoqëri më të mirë situata në vend mund të përmirësohet dhe SPAK mund ta ketë më të lehtë”, ka thënë ai.

Po ashtu ka vijuar duke thënë se korrupsioni është i pranishëm kudo.

“Kam shërbyer në Sri Lanka dhe ju them se si atje si në Amerikë, por edhe këtu në Shqipëri ka korrupsion, por çështja është te niveli, burimet, institucionet mbikëqyrëse. Në Amerikë për shkak të kësaj frika është shumë më e madhe për të bërë korrupsion”, ka shtuar zyrtari i ambasadës amerikane.

Kurse Dumani tha se SPAK si institucion është i pavarur për shkak të fuqisë që i ka dhënë Kushtetuta e vendit, mirëpo nuk e ka përjashtuar as mundësinë e një “flirtimi me pushtetin”.

Ai tha se kjo pavarësi për të cilët po flitet e që është vënë shpeshherë në dyshim, është fakt, mirëpo e gjitha varet nga integriteti i secilit prokuror apo gjykatës.

“Mund të jesh i pavarur, por zgjedh të flirtosh me pushtetin”, tha Dumani në fjalën e tij.

“Për të qenë të suksesshëm në luftën kundër korrupsionit duket legjislacion i mirë dhe struktura të specializuara dhe këto struktura. Ne kemi pavarësi totale të garantuar nga Kushtetuta. Nuk kemi marrëdhënie varësie me pushtetet e tjera. Mirëpo, gjithçka varet nga integriteti i secilit prokuror dhe gjykatës, mund të jesh i pavarur, por zgjedh të flirtosh me pushtetin”, tha Dumani.

Ai përfundoi duke thënë se SPAK po punon për t’i dhënë fund mitit të pandëshkueshmërisë, përtej emrave dhe pushteti që mund të kenë ose kanë pasur individët.

“Kemi kapacitet për t’u përballur me grupet e strukturuara kriminale, kemi dhëne prova. Ne çdo ditë hetojmë, marrim persona në hetim. Ne po tentojmë të thyejmë mitin e pandëshkueshmërisë. Është e lodhshme, e vështirë, por ne po bëjmë pavarësisht emrit apo pushtetit që kanë pasur individët. Në SPAK kemi ndryshuar filozofinë e kërkimit të provës me metoda speciale. Kemi përdorur të ardhurat nga pasuritë e konfiskuar dhe kemi investuar në teknologji”, tha Dumani.

Që nga krijimi i Prokurorisë së Posaçme SPAK – me qëllimin kryesor për luftimin e korrupsionit në nivele të larta dhe krimin e organizuar në vend – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë mbështetëse të strukturës.

Marrja e “bekimit” të amerikanëve krijoi besimin duke filluar nga opozita e deri te populli – që shpesh kanë shprehur rezerva për funksionimin e drejtësisë (si të kapur nga pushteti).

Nga hapja e dosjeve të rëndësishme deri te arrestimi i zyrtarëve, puna e SPAK ka pasur duartrokitje.

Megjithatë edhe akuzat nuk kanë munguar. Kritikët, e konsiderojnë si vegël të kryeministrit Edi Rama. Ose siç ish-kryeministri Sali Berisha i quan “prokurorë politikë” të tij.

Përpos të gjithave, përshëndetja ndërkombëtare ka qenë prezente edhe pse me dëshirën për të parë akoma më shumë.

“Reforma në drejtësi ka dhënë rezultat, por ka akoma vend për përmirësim”.

Gjatë kohës së funksionimit, ka pasur edhe arrestime të bujshme të ish-zyrtarëve të lartë të shtetit.

Prokuroria e Posaçme u krijua më datë 19 dhjetor 2019. Tetë anëtarë prokurorë të Prokurorisë së Posaçme u betuan pranë Presidentit të Republikës së Shqipërisë, ashtu siç parashikonte Ligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore