Kosova

“S’kemi kohë të vajtojmë sot”, Kamberi: Shqipëria e Kosova s’na kanë faj që s’u unifikuam


Kandidati për deputet të Parlamentit të Serbisë, Shaip Kamberi dhe udhëheqësi i Listës “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”, ka thënë se Kosova dhe Shqipëria nuk janë fajtore që shqiptarët në Serbi nuk kanë arritur të garojnë me një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare që po mbahen këtë të diele në Serbi.

“Sot është koha e zgjedhjeve, sot është koha për të motivuar njerëzit, për të mos kërkuar fajtorin. As Kosova dhe as Shqipëria nuk mund të ketë faj, se edhe Kosova edhe Shqipëria kanë bërë përpjekje, në radhë të parë Kosova që ka nisur këtë proces, për të unifikuar një listë, nuk është arritur dhe tash nuk kemi kohë të vajtojmë sot”, tha Kamberi para gazetarëve pasi ka votuar në fshatin Tërnoc të madh të Bujanocit.

Megjithëkëtë, ai u shpreh optimist se do të arrijë të fitojë votat e mjaftueshme për t’u ri-zgjedhur deputet duke shtuar se “në politikë nuk ka vend për pesimizëm, ose duhet ta lësh profesionin”.

Ndryshe nga Kamberi, fajin mos unifikim të shqiptarëve kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, i cili mbështet listën “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar” ia ka lënë kryeministrin të Kosovës, Albin Kurtit.

“Në dy vitet e fundit përçarja ka ndodhur fuqimisht e mbështetur edhe nga Kurti. Dhe sot ia japim faturën edhe Kurtit”, tha Arifi.

Në këtë garë, forcat kryesore janë Partia Progresive Serbe (SNS), e presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe koalicioni i përbërë nga partitë opozitare “Serbia kundër dhunës”.

Në bazë të disa sondazheve që janë publikuar ditëve të fundit, e kanë nxjerrë të parën me mbi 40 për qind SNS-në.

Opozita serbe ka kritikuar vazhdimisht SNS-në – e cila ka pushtetin në Serbi që 10 vjet – se ka përdorur pushtetin për të ndikuar tek qytetarët serbë në orientimin e votës së tyre.

Arifi thotë se “Kurti po i përçan shqiptarët” në Luginë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore