Lajme

Skandali me fabrikat e mishit në Evropë – punëtorë të pasiguruar dhe paga të ulëta


Mijëra punëtorë, të kontraktuar përmes agjencive apo korporatave të rreme, punësohen nga fabrikat e mishit në Evropë.

Ky është përfundimi i së përditshmes “The Guardian” pas një hulumtimi të fundit mbi industrinë e mishit, e cila “është kthyer në një pikë të nxehtë globale, pasi përthith emigrantë, të cilët paguhen 50% më pak se personeli vendas”.

E përditshmja zbardh “të vërtetën” e një sistemi punësimi me dy nivele: punëtorët i nënshtrohen pagesës në standard (me paga të ulëta) dhe kushteve të vështira gjatë orarit të punës (punojnë në ambiente tej kapacitetit).

Sipas hulumtimit, rreth një milion njerëz janë të punësuar në sektorin e mishit nëpër Evropë.

Në një kohë që sindikatat thotë se “Sistemi është i sëmurë kudo në të gjithë Evropën. Bazohet në çmimet e lira për mishin dhe shfrytëzimin e fuqisë punëtore”.

Enrico Somaglia, zëvendëssekretar i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Sindikatave të Ushqimit, Bujqësisë dhe Turizmit, shpjegon se punëtorët punojnë “bërryl në bërryl” dhe në kushte jo të favorshme.

“Po ashtu”, thotë ai, “shpesh punojnë me orare të stërzgjatura dhe të pacaktuara. S’kanë as sigurime shëndetësore”.

Nga ana tjetër, vetë punëtorët e përshkruajnë jetesën në një gjendje jashtëzakonisht të pasigurt në vendet ku ata nuk njohin as gjuhën. Një faktor ky që nuk i favorizon, pasi e kanë të vështirë të kuptojnë marrëveshjet e nënshkruara dhe, jo më, të drejtat e tyre ligjore.

“Ata mund të të shkarkojnë menjëherë, pa arsye, dhe mund të humbasësh gjithçka”, tha një punëtor rumun në Holandë.

Inspektorati i punës në Holandë – një nga eksportuesit më të mëdhenj të mishit në Evropë me të ardhura prej 8.8 miliardë euro – tha se emigrantët, kryesisht me kontrata të pasigurta, përbëjnë deri në 90% të fuqisë punëtore.

Fabrikat e përpunimit të mishit në Mbretërinë e Bashkuar po luftojnë me një mungesë të punëtorëve.

Shumë nga punëtorët prej Evropës Lindore të punësuar në këtë sektor u kthyen në vendet e tyre gjatë pandemisë COVID-19.

Sipas një parashikimi të sindikatave, përdorimi i agjencisë dhe puna e migrantëve me nën-kontraktim do të përhapet edhe më, duke qenë se banorët vendas nuk duan të punojnë në fabrikat e mishit.

Ato bëjnë thirrje që diçka e tillë të ndalet menjëherë.

“Pa asnjë dyshim, agjencitë dhe puna në të zezë duhet të ndalohen”, tha Bev Clarkson nga Unite Union – sindikatë britanike dhe irlandeze, që mbron të drejtat e punëtorëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore