Kosova

Skandali me artikullin, dorëhiqet edhe Arta Berisha nga Bordi i RTK-së: Na gënjyen – s’u ndëshkua askush


RTK

Pas Kryetarit të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Besnik Boletini, dorëheqje nga funksioni i anëtares së bordit ka dhënë edhe Arta Berisha, kjo për shkak të publikimit të një artikulli në televizionin publik, ku akuzoheshin dy mediume kosovare, “Nacionale” dhe “Periskopi” për kontrollim dhe financim nga Serbia.

“Për mua ka qenë përgjegjësi e madhe dhe nder të jap kontributin tim profesional në përpjekjen që transmetuesin publik ta avancojmë drejt një shtëpie informative në shërbim të së vërtetës, edukimit dhe emancipimit shoqëror”, ka thënë Berisha në reagimin e saj.

Ajo ka potencuar se duke qenë mbështetëse e standardeve profesionale në gazetari, të cilat thotë se “i kam respektuar maksimalisht qoftë si gazetare aktive, qoftë si anëtare e Bordit të RTK-së”, për të “ka qenë e paparanueshme që shkelësit e standardeve profesionale të kalojnë pa u ndëshkuar sipas rregulloreve të RTK-së”.

“Raporti i Komisionit të RTK-së është i qartë dhe tregon se në rastin e fundit – botimin e një teksti të paverifikuar dhe të plasuar fillimisht nga një medium tjetër – janë shkelur standardet profesionale të gazetarisë, për më keq: bordi është gënjyer. Kjo për mua është e patolerueshme”.

Në fund, ajo theksoi se shpreson se praktika e mosndëshkimit të mos rikthehet në RTK.

Ndërsa, në një arsyetim të gjatë pas dorëheqjes, Boletini ka thënë se në RTK nuk ka pasur vullnet që të merren masa ndaj atyre që e kanë bërë lajmin.

“Gjetjet e raportit të komisionit ishin të qarta. Që nga data 9 gusht, zëvendësdrejtori Adi Krasta (që i ka përgjegjësitë e drejtorit) nuk po e adreson këtë raport. Të jesh në krye të transmetuesit publik edhe për një ditë është privilegj, por edhe përgjegjësi. E siç po shihet ai nuk ka vullnet për të marrë masa ndaj atyre që e shkaktuan skandalin”, shkroi ai në platformën sociale, Facebook.

Në këtë situatë, sipas tij, bordi i kishte duart e lidhura.

“Për këtë arsye u bë e domosdoshme emërimi i një ushtruesi të detyrës së drejtorit dhe hapja e konkursit po ashtu sot. Gjetja e një personi që e merr udhëheqjen në këtë situatë delikate ishte e vështirë. Ai që është në detyrë nuk po e bënte, patatja e nxehtë e priste dike tjetër. Megjithatë një kandidat ishte i gatshëm ta merrte detyrën”, shpjegoi ai.

Qëndrimi, sipas tij, në këtë rast ishte që ai ta adresojë me urgjencë raportin e komisionit dhe të marrë masat sipas ligjit dhe rregulloreve, të bëhet një komunikatë dhe të kërkohej falje ndaj dy mediave të apostrofuara dhe rasti të merrte epilog shumë shpejtë.

Skandali me artikullin – jep dorëheqje kryetari i Bordit të RTK-së: S’kishte vullnet që të merren masa ndaj atyre që e publikuan lajmin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore