Kosova

“Situata në Veri ishte e brishtë, por kryesisht e qetë”, thotë Policia


Ilustrim

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka thënë se këtë të marte situata e sigurisë në Veri të Kosovë “ka qenë e brishtë, por kryesisht e qetë”.

“Përjashtuar në komunën e Leposaviqit ku kohë pas kohe është tensionuar, pasi protestuesit/grupet kriminale, kanë penguar dhe sulmuar me gjësende të ndryshme, të forta gazetarë të mediave të ndryshme”, thuhet një komunikatën e Policisë.

Përveç këtyre, aty bëhet me dije se “edhe disa vetura të mediave, të cilat kanë qenë të parkuara në lokacione të ndryshme, janë sulmuar dhe dëmtuar nga mjetet e forta të hedhura brenda dhe jashtë veturave”.

“Pengimi i gazetarëve në kryerje të detyrës, cenimi i shprehjes së lirë, pengimi i pasqyrimit të situatës reale, si dhe dëmtimi i automjeteve janë veprime kriminale, të cilat do të hetohen nga Policia e Kosovës”.

“Në orët e pasdites, protestat pran objekteve të tri komunave në veri të vendit Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan kanë përfunduar, përjashtuar një numër i vogël i protestuesve vazhdojnë të qëndrojnë pranë komunës së Leposaviqit”.

Gjithashtu, njoftojnë se “monitorimi i situatës dhe angazhimet policore të koordinuara me institucionet relevante të sigurisë kanë vazhduar në të gjitha lokacionet”.

Ndryshe, pas zhvillimeve të fundit në Veri të Kosovës ku 41 ushtarë të KFOR-it u lënduan të hënën në Zveçan, NATO-ja ka marrë vendim për angazhim të Forcës Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor, e cila ka qenë në gjendje gatishmërie për angazhim.

“Si përgjigje ndaj trazirave të fundit në veri të Kosovës, dhe lëndimit të 30 pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), në atë pjesë, aleanca veri-atlantike ka marrë vendim për angazhim të Forcës Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor, e cila ka qenë në gjendje gatishmërie për angazhim”, thuhet në njoftim.

Në njoftim po ashtu theksohet se ky vendimi për shtim të numrit të forcave është marrë ashtu që KFOR-i të mund të garantojë sigurinë, në përputhje me mandatin që ka.

Ndërsa Admirali Stuart B. Munsch, komandant i NATO-s për forcat në Napoli, i ka përgëzuar ushtarët e KFOR-it për reagimin e shpejtë dhe të përmbajtur, për të parandaluar trazirat dhe për të shpëtuar jetë.

“Dhuna duhet të ndalet, dhe të gjitha palët duhet të shmangin veprime që minojnë paqen në Kosovë”, ka thënë Munsch.

Ndryshe, është dita e dytë me radhë që serbët në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po protestojnë, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë.

Kërkese e tyre po ashtu është që të tërhiqen njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës.

Më 26 maj, tensionet në Veri u rritën, atëherë kur krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, kishin hyrë nën përcjelljen e policisë në ndërtesat komunale.

Ndërkaq, më 29 maj, protestuesit u përleshën me trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Nga kjo përleshje 41 trupa të KFOR-it u lënduan dhe dhjetëra protestues.

Nga pamjet që vijnë nga Zveçani ishte parë një numër i ushtarëve të shtrirë në tokë, pas lëndimeve të marra.

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Britanisë së Madhe kanë kërkuar që të ndalet menjëherë dhuna ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën në zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit.

Këto zgjedhje u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm komunale nëntorin e 2022.

Kryetarët e mëparshëm vinin nga Lista Serbe partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhje dhe procesi u bojkotua nga serbët lokalë.

Policia e Kosovës, të martën situatën në komunat veriore e ka përshkruar “si të brishtë”, por që nga ky institucion i sigurisë është thënë se po vazhdohet të punohet për stabilizimin e situatës dhe ruajtjen e sigurisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore