Kosova

Sinani thirrje për mobilizim: Të bashkohemi kundër diskriminimit dhe padrejtësive


Ardita Sinani

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se protesta e shqiptarëve në Luginë të Preshevës për identitet dhe dinjitet vazhdon, derisa u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohen në protestën e radhës.

Protesta e parë e shqiptarëve në Serbi me sloganin “për identitet dhe dinjitet” u mbajt më 12 gusht në Bujanoc, ndërsa e dyta do të mbahet më 23 shtator në Preshevë, e cila pritet të nis nga ora 13:00.

“Është momenti që të bashkohemi dhe të mobilizohemi për marshimin që do të mbahet në Preshevë. Në Gusht ishim bashkë në Bujanoc, tani, në Shtator, na takon të dëshmojmë forcën tonë në Preshevë, si një trup i vetëm, për të treguar se problemet tona nuk mund të anashkalohen më”, shkroi Sinani në Facebook.

Kjo protestë, ajo theksoi se po bëhet kundër diskriminimit dhe padrejtësive që përjetojnë në Luginën e Preshevës, dhe se marshojnë për barazi dhe drejtësi.

“Kërkojmë atë që na takon me të drejtë – as më shumë, as më pak, por gjithmonë atë që meritojmë!”.

Sinani theksoi se marshojnë edhe për ndalimin e pasivizimit të adresave, për njohjen e diplomave, për krijimin e vendeve të punës dhe për institucione që janë të hapura për të gjithë.

“Zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara dhe respektimi i detyrimeve të shtetit ndaj shqiptarëve të Luginës janë thelbësore për të ardhmen tonë”, shtoi.

Ajo potencoi se kërkojnë një Preshevë me Gjykatë, me përfaqësim të drejtë në institucione, ashtu siç iu takon.

“Ky marshim është për të gjithë ne, për dinjitetin dhe identitetin tonë! Ju ftoj të bashkoheni dhe të marshojmë së bashku – sepse vetëm të bashkuar, jemi më të fortë!”, përfundoi.

Shqiptarët që jetojnë në Serbi janë të shtypur sistematikisht nga regjimi atje. Madje, atyre nuk u lejohet as përdorimi i flamurit kombëtar.

Një nga çështjet që është ngritur edhe në Senatin Amerikan, por edhe në Bashkimin Evropian, është pasivizimi i adresave që autoritetet serbe janë duke ua bërë shqiptarëve etnikë, posaçërisht në Medvegjë.

Së fundmi, shqiptarët në Serbi kanë organizuar edhe një protestë në Bujanoc, për identitet dhe dinjitet, dhe kanë paraljamëruar një tjetër në Preshevë.

Pas protestes në Bujanoc janë shfaqur grafite raciste dhe nxitëse të urrejtës në gjuhën serbe si “vdekje shqiptarëve”, “Kosova është Serbi” e të ngjashme, të cilat janë dënuar ashpër nga politikanët shqiptarë në Luginë, por jo nga autoritetet serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore