Shqipëria

Sigurimi i detyrueshëm i banesave nga tërmetet, çfarë parashikon projektligji qeveritar


Këshilli i Ministrave ka nxjerrë për konsultim publik (mendim) një draft që bën të detyrueshëm sigurimin për banesat nga tërmetet.

Një nga masat paraprake që parashikon ky projektligj qeveritar është ndalimi i shërbimeve publike nga platforma e-Albania.

Kjo, nëse nuk paguhet primi (prime) i sigurimit të banesës nga tërmeti.

Primi është një shumë që i paguhet periodikisht siguruesit nga i siguruari për të mbuluar rrezikun e tij.

Primi i sigurimit duhet të paguhet me detyrim nga çdo individ person fizik ose juridik, vendas apo të huaj, pronarë ose përdorues të pasurive të paluajtshme në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të këtyre ndërtesave.

Të gjitha banesat dhe seksionet që ndodhen brenda banesave që përdoren si njësi shitje, zyra apo për qëllime të ngjashme e kanë të detyrueshme për t’u siguruar.

Prej taksës, përjashtohen ndërtesat të cilat përbëhen nga argjile ose qerpiç, strukturë me fibër – kallami ose të ngjashme dhe ndërtesa me vendosje të lëvizshme ose të përkohshme.

Detyrimin e sigurimin nga tërmetet e kanë edhe subjektet e banesave sociale me qira, përfshirë banesat në proces legalizimi, si edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Këto të fundit, e financojnë primin nga buxheti i tyre. Ndërkohë buxheti i shtetit financon primin e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet për shtresat sociale në nevojë.

Sigurimi do të mbulojë vetëm dëmtimet në banesë duke përjashtuar dëmin tjetër pasuror (mobilet, pajisjet e brendshme, etj.) dëmet në njerëz, përfshirë vdekjen dhe kompensimin e dëmeve morale.

Sigurimi që paguhet nga poseduesit e banesave do të rinovohet çdo 1 vit dhe periudha e vlefshmërisë së policës së sigurimit është një vit.

Ndërsa dëmshpërblimi paguhet brenda nëntë muajve. Polica gjenerohet përmes sistemit e-Albania.

Përfituesi i dëmshpërblimit me vullnetin e tij mund të transferojë vlerën e dëmshpërblimit e tij pranë fondit te rindërtimit i cili krijohet me ligj të veçantë që rregullon rindërtimin nga pasojat e tërmetit.

Skema e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet do të menaxhohet nga Fondi Kombëtar për Tërmetet, i organizuar në formën e një shoqërie aksionare, në pronësi të shtetit dhe përgjegjës është Ministri i Financave.

Niveli i primit duhet të llogaritet me metodologji aktuariale, bazuar në modelin e rrezikut nga tërmetet të zhvilluar për Shqipërinë, e cila miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, mbas marrjes së mendimit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF).

Po kështu vlera e dëmshpërblimit për dëme që rrjedhin nga polica e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet nuk kalon në asnjë rast limitin maksimal sipas metodologjisë të dëmshpërblimit të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave “Fondi Kombëtar për Tërmetet”.

Vlerësimet do të përfshijnë një tërmet me magnitudë 5.0 ose më të lartë të shkallës Rihter i cili ka ndodhur në Republikën e Shqipërisë ose rajonet ngjitur dhe ka sjellë dëme në Shqipëri, i raportuar nga Autoriteti Kombëtar i autorizuar të masë tërmetet.

Vlerësohen pjesë e ngjarjes së tërmetit, të gjitha tërmetet pasuese (paslëkundjet) si dhe zjarri, shpërthimi, rrëshqitjet e tokës apo ulje (zhvendosje) të shkaktuar nga lëkundjet pasuese, që ndodhin gjatë një periudhe kohore prej 72 orësh nga zhvillimi i ngjarjes së tërmetit.

Me këtë skemë të sigurimit të detyrueshëm të tërmeteve në Fondin Kombëtar për Tërmetet pothuajse përjashton kompanitë private të sigurimeve nga produkti i sigurimit vullnetar të banesave për tërmetet.

Sipas projektligjit, siguruesve privatë u ngelet sigurimi i katastrofave të tjera natyrore, apo sigurimi nga zjarri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore