Lajme

Shtyhet vizita e Ursula von der Leyen në Mal të Zi


Për shkak të motit të keq është shtyrë vizita e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Mal të Zi.

“Vizita e sotme e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Mal të Zi, për fat të keq do të duhet të shtyhet për një datë tjetër, sepse për shkak të kushteve atmosferike, avioni i delegacionit nuk mund të ngrihet nga aeroporti i Beogradit. Vizita do të jetë organizuar në një datë të re që do të bihet dakord reciprokisht”, bëhet e ditur nga qendra informative e BE-së.

Von der Leyen shkroi në Twitter se fatkeqësisht për shkak të motit të keq, ajo duhej të shtynte vizitën e saj në Malin e Zi mëngjesin e kësaj të shtune.

“Po e lëvizim. Mezi pres që së shpejti të vizitoj sërish vendin tuaj të bukur”, shkroi ajo.

Ursula von der Leyen gjatë qëndrimit në Kosovë, ka ri-deklaruar se Kosova ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave qysh në vitin 2018.

Por, tani ka mbetur që të bëhet përpjekja diplomatike, tha Von der Leyen.

“Kosova e meriton liberalizimin e vizave, i keni përmbushur të gjitha standardet. Ishte vlerësim i imi që kjo të bëhej në vitin 2018, tani e keni konfirmuar se i keni plotësuar kriteret”, pohoi presidentja e KE-së.

“Duhet tash ta bindim Këshillin Evropian, shumica e tyre janë në anën tuaj, kërkohet shumë përpjekje diplomatike”, pohoi Von der Leyen, por shtoi se “mund të llogarisni në mua”.

“Vendi i Kosovës është në Bashkim Evropian. Gjithmonë do të them se Evropa nuk është e plotë pa Kosovën. Marrëdhëniet tona me Ballkanin janë shumë të rëndësishme dhe duhet të intensifikohen. Është investim në paqe. BE është i përkushtuar më shumë se kurrë në procesin e zgjerimit”.

Von der Leyen ka shtuar se ajo, si presidente e Komisionit Evropian, ka pohuar se “unë e lëvdoj Kosovën për progresin e bërë, dhe e bëj këtë qëllimisht, sepse i meritoni të gjitha lëvdatat”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore