Kosova

Shqiptarët në Luginë protestojnë përsëri më 23 shtator


Diskriminimi sistematik, mohimi i të drejtave elementare si përdorimi i flamurit kombëtar, pasivizimi i adresave janë vetëm disa nga arsyet që qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës do të mbajnë protestën e dytë me radhë të hënën.

Kështu ka njoftuar Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Serbi, Nevzad Lutfiu përmes një statusi në Facebook.

“Nesër të gjithë bashkë protestojmë për Identitet dhe Dinjitet. Për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Për qytetarët e Komunës së Bujanocit, grumbullimi fillon nga 11:30 deri ora 12:00 tek qendra e qytetit, pastaj në mënyrë të organizuar nisemi për në Preshevë. Nga Medvegja nisja për Preshevë bëhet në ora 09:30, nga zyra e KKSH-së”, ka shkruar ai.

Protesta e parë e shqiptarëve në Serbi me sloganin “për identitet dhe dinjitet” u mbajt më 12 gusht në Bujanoc.

Pas protestës, vetëm pas disa ditësh u shfaqën grafite anti-shqiptare si “vdekje shqiptarëve”, “Kosova është Serbi”, e të ngjashme.

Këto grafite u dënuan ashpër nga liderët politikë shqiptarë, të cilët kërkuan që autorët të mbahen përgjegjës.

Nga ana tjetër, këto grafite nuk u dënuan fare nga autoritetet qendrore të Serbisë, cka bëri që të ketë akuza se të njëjtat janë nxitur nga vetë Beogradi zyrtar.

Ndryshe, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2022, shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe kombëtare në Serbi, me më shumë se 61,000 qytetarë. Shumica e tyre janë në komunat në jug të Serbisë – Preshevë dhe Bujanoc.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore