Shqipëria zyrtarisht anëtare e Qendrës Evropiane të Ekselencës kundër Kërcënimeve Hibride në Helsinki

Vitjon Nina
13.06.2024 18:22
Loading Icons...

Shqipëria është pranuar zyrtarisht si një anëtare e Qendrës Evropiane të Ekselencës kundër Kërcënimeve Hibride në Helsinki.

Kështu, duke e plotësuar tablonë e pranimit të të gjithë anëtarëve të Bashkimit Evropian dhe të aleancës së NATO-s, të cilat janë pjesë e kësaj organizate.

Një mesazh lidhur me këtë e ka shpërndarë edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili bëri të ditur lajmin.

“Anëtarësimi kompleton pjesëmarrjen e të gjitha vendeve të BE dhe NATO në këtë organizatë, për të mundësuar kështu një qasje të unifikuar mes aleatësh kundër kërcënimeve hibride, Dizinformimit dhe Manipulimit të Informacionit nga Shtetet e Huaja”, shkruan Rama.

Nga ana tjetër, për ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ky është një hap i madh përpara.

“Kjo nënkupton një hap shumë të rëndësishëm përpara për Shqipërinë dhe ne jemi të prirur të kontribuojmë në misionin jetik të Qendrës”, tha ministri Hasani pas pranimit.

Të fundit

Aktuale