“Shqipëria është motra jonë”, Gërvalla pret homologen Xhaçka
Dreni Himbeqa
25.11.2022 16:35Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla të premten ka pritur në takim homologen e saj nga Shqipëria, Olta Xhaçka.
Pas një takimi kokë më kokë në ndërtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, të dy kryediplomatet shqiptare janë deklaruar për media.
Për Gërvallën Shqipëria është motra e Kosovës.
“Diskutuam për hallet tona, sfidat tona, planet tona të përbashkëta që i kemi sepse Republika e Shqipërisë nuk ka si të jetë ndryshe përveçse motra jonë dhe dy shtetet tona motra kanë dëshmuar jo vetëm orientimin e tyre të padiskutueshëm pro evropian dhe pro perëndimor, por kanë dëshmuar edhe vetë veten si shtytësit kryesor të progresit në zhvillimin rajonal dhe në iniciativat e ndryshme rajonale”, ka thënë Gërvalla.
Krye-diplomatja është treguar veçanërisht e afërt me homologen.
“Ministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë është ministrja më e dashur në këtë vend dhe ashtu siç pata unë kënaqësinë t’i uroj mirëseardhjen mikeshës time, motrës time, Olta Xhaçka në Prishtinë, ashtu besoj që çdo qytetar i Kosovës është shumë i lumtur që ke ardhur të na nderosh”.
Sipas Gërvallës me ministren Xhaçka kanë biseduar gjerë e gjatë për shumë tema, por biseda sipas saj u përqëndrua te mërgata shqiptare dhe shqetësimet e tyre dhe gjithashtu te koordinimi i strategjisë së përbashkët se si të dy shtetet do të qasen mërgatës shqiptare.
“Është e qartë se qytetarët tanë në mërgatë nuk e ndajnë në vetë veten në qytetarë që vinë nga Tirana apo Prishtina, por ata i ndajnë të njëjtat shoqata i ndajnë të njëjtat halle”.
“Biseduam gjerë e gjatë se si do të mund të ofrojmë mundësi më të mira që gjeneratat e ardhshme në mërgatë t’i kenë më të prekshme më cilësore ofertat për mbajtjen dhe kultivimin e Gjuhës Shqipe për aktivitete të ndryshme kulturore”.
“Dhe aty jam i lumtur që së bashku me ministren do të përqendrohemi edhe më shumë në një koordinim më të mirë të ofertave të shumta”.