Kosova

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në Trepçë, Molliqaj: Vendimi i jashtëligjshëm, i rrezikshëm dhe skandaloz


Dardan Molliqaj

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka thënë se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në Trepçë është vendim i jashtëligjshëm, i rrezikshëm dhe skandaloz.

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, sipas menaxhmentit të Trepçës, ka ardhur si pasojë e grevës së minatorëve.

Në lidhje me këtë vendim, Molliqaj ka konsideruar se ndaj minatorëve të Trepçës po vazhdon diskriminimi prej menaxhmentit të ndërmarrjes.

“Dje, ushtruesi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv, Faton Ahmeti, mori vendim të kundërligjshëm për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme në ndërmarrje si dhe për të pezulluar pushimet vjetore të minatorëve”, shkroi Molliqaj në Facebook.

Ky vendim, sipas kreut të PSD-së, është shkelje e Ligjit të Punës dhe Ligjit për Greva.

“Ligj i Punës, në asnjë nen të tij, nuk parasheh ‘gjendjen e jashtëzakonshme’ si pjesë e marrëdhënies së punës”.

Në të njëjtën kohë, ai shpjegon se Ligji për Greva i mbron punëtorët që grevojnë nga ndëshkimi.

“Mbi të gjitha, një vendim i tillë cenon drejtpërdrejt të drejtën e minatorëve të Trepçës për të punuar në një vend pa diskriminim dhe me trajtim të dinjitetshëm”.

Ish-deputeti është i bindur se vendimi i Kryeshefit Ekzekutiv të Trepçës është “i jashtëligjshëm, i rrezikshëm dhe skandaloz”.

“Ky vendim nuk duhet të respektohet assesi. Për këtë vendim, Enis Abdurrahmani duhet të shkarkohet menjëherë”, potencoi ai ndër të tjera.

Çka ndodhi?

Menaxhimenti i ndërmarrjes publike Trepça, të martën, nëpërmjet një vendimi ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në këtë ndërmarrje.

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, sipas menaxhimentit, ka ardhur si pasojë e grevës së minatorëve.

Menaxhimenti gjithashtu ua ka pezulluar pushimet e planifikuara për shtator, tetor e nëntor të minatorëve.

Arsyetimi për këto vendime ka qenë mungesa e aktivitetit për afër një muaj e dhjetë ditë në këto njësi, ku sipas tyre, ka pasur humbje të mëdha në prodhim dhe ndalesë në realizimin e planit të biznesit.

Për më shumë se dy muaj minatorët e kompleksit metalurgjik “Trepça”, nuk arritën t’i marrin pagat,

Për shkak të mungesës së financave, Albanian Post raportoi se minatorët kishin gjendje të rënduar psikologjike e financiare.

Pas kësaj gjendjeje të krijuar Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të radhës më 14 gusht mori vendim që të ndahen mbi 4 milionë euro për ndërmarrjen publike “Trepça”.

“Për ndërmarrjet publike do të ndajmë 4 milionë euro dedikuar për mbështetjen ndaj Trepçës, në mënyrë që të tejkalohet kriza aktuale ku ndërmarrja nuk ka arritur të sigurojë pagat. Duket se ka shumë punëtorë mbi tokë për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka”, kishte thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Në ndërkohë brenda dy javëve të fundit menaxhimenti i Trepçës me vendim të Ushtruesit të Detyrës së Kryeshefit ekzekutiv, Faton Ahmeti, largoi nga puna më shume se 13 minatorë me arsyetimin se kanë “kryer shkelje të rënda të detyrave të punës” pa e specifikuar konkretisht për çfarë shkelje bëhet fjalë.

Megjithatë Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës garantoi se këto largime nga puna nuk kanë të bëjnë fare me shprehjen pakënaqësive përmes protestave apo ndonjë hakmarrje në drejtim të pakënaqësive të tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore