Kosova

Shefi i CIA-s arrin në Presidencën e Kosovës


Foto REL: William Burns duke hyrë në Presidencën e Kosovës

Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), William Burns, ka arritur në ndërtesën e Presidencës së Kosovës.

Mediat në Kosovë kanë publikuar pamje ku shihet autokolona e Shefit të CIA-s derisa hyn në oborrin e Presidencës, dhe derisa zbret nga vetura për të hyrë në ndërtesën e presidencës.

Nuk dihet se kënd do ta takojë Burns gjatë qëndrimit të tij në Kosovë dhe as për çka do të diskutojë.

Vizita në Kosovë e Shefit të CIA-s vjen në kuadër të “turneut ballkanik” të kësaj jave, ndonëse nuk janë dhënë fare detaje specifike rreth arsyes së vizitës.

Pas Bosnje e Hercegovinës, Burns vizitoi Serbinë më 21 gusht, derisa as për këtë vizitë nuk janë dhënë fare informacione zyrtare.

Ndryshe, në raportin e përvjetshëm të vlerësimit të kërcënimeve globale të sigurisë, në mars, komuniteti i inteligjencës amerikane paralajmëroi ngritje të nivelit të rrezikut nga përshkallëzimi i mëtejmë i dhunës në rajonin e Ballkanit Perëndimor përgjatë vitit 2024, derisa u përmenden tensionet në pjesën Veriore të Kosovës që karakterizuan rajonin e trazuar edhe përgjatë vitit 2023.

“Liderët nacionalistë ka të ngjarë të përkeqësojnë tensionet për avantazhin e tyre politik dhe aktorët e jashtëm do të përforcojnë dhe shfrytëzojnë dallimet etnike për të rritur ose mbrojtur ndikimin e tyre rajonal ose për të penguar integrimin më të madh të Ballkanit Perëndimor në institucionet euroatlantike”, paralajmëroi Drejtoria e Inteligjencës Kombëtare (ODNI).

Gjithashtu, ndonëse nuk përmendet drejtpërdrejtë, sulmi terrorist i 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjë të Zveçanit në Veri të Kosovës, ku u vra një polic i Kosovës, u mor për referencë në raportin e inteligjencës amerikane mbi vlerësimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor për vitin 2024.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore