Kosova

Shea: Masat e BE-së ndaj Kosovës mund të hiqen këtë vjeshtë


Jamie Shea

Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, ka thënë se masat ndëshkuese kundër Kosovës të vendosura nga Bashkimi Evropian (BE) më shumë se një vit më parë mund të hiqen këtë vjeshtë, derisa ka shtuar se edhe dialogu Kosovë-Serbi do të rifillojë së shpejti, pas finalizimit të përbërjes së re të Komisionit Evropian (KE), i cili do të ketë një mandat pesë-vjeçar.

“Dialogu Beograd-Prishtinë duhet të rifillojë së shpejti. Kështu që pres që masat e BE-së kundër Kosovës të hiqen më vonë këtë vjeshtë me kusht që të ketë një periudhë qetësie në veri dhe që Prishtina të bëjë përpjekje për të riintegruar serbët në polici, gjyqësor dhe administratën lokale”, ka deklaruar Shea të shtunën në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka rekomanduar largimin e masave ndëshkuese kundër Kosovës muaj më parë, por shtetet anëtare akoma nuk kanë vepruan në bazë të raportit. BE-ja ka paralajmëruar më herët se veprimet e fundit të qeverisë mund të ndikojnë negativisht në mundësinë e heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

Ndryshe, takimet e mbajtura së fundi në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së, qoftë në nivel të lartë apo në nivel të kryenegociatorëve, nuk kanë prodhuar rezultate konkrete. Kosova dhe Serbia vazhdimisht fajësojnë njëra-tjetrën për moszbatimin e marrëveshjeve ekzistuese apo për dështimin dhe ngërçin në kuadër të procesit të dialogut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore