ShBA-të dhe Britania njëzëri kritikojnë Kosovën për aksionin në Veri: Veprime të pakoordinuara që mund t’i përshkallëzojnë tensionet

Foto nga Albanian Post

Dini Fetahu
21.05.2024 14:07
Loading Icons...

Dy nga shtetet më të fuqishme në botë – aleate të Kosovës – konkretisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, njëzëri kanë kritikuar ashpër Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti, pas mbylljes nga Policia e Kosovës të gjashtë degëve të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në Veri të vendit – të banuar me shumicë serbe.

Si ShBA-të ashtu edhe Mbretëria e Bashkuar kanë bërë me dije se këto veprime janë të “pakoordinuara”, dhe se të njëjtat mund të jenë shkas për “përshkallëzim” të tensioneve tanimë ekzistuese.

Kush çka konkretisht tha?

Fillimisht do të reagonte Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), në një përgjigje për “Zërin e Amerikës”.

Nga DASH-i theksuan se janë të “zhgënjyer” me mbylljen e degëve të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë, derisa kanë vlerësuar ndër të tjera se “veprimet e pakoordinuara” mund t’i “përshkallëzojnë tensionet” ekzistuese.

DASH-i i bëri thirrje Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

Sipas DASH-it, veprimi i fundit i autoriteteve kosovare, minon perceptimet amerikane për angazhimin mirëbesues të Kosovës në procesin e dialogut.

“Ai minon perceptimin se Kosova vepron me mirëbesim për zgjidhjen e çështjeve me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’u përgjigjet nevojave bazë të të gjithë qytetarëve të saj – duke përfshirë ato të pakicës serbe – e ndikuar negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhën”, theksoi DASH.

Disa orë më vonë, në të njëjtën frymë, do të vinte edhe reagimi nga Britania e Madhe.

Përmes ambasadës së tyre në Prishtinë, është thënë se janë të “shqetësuar” për mbylljen gjashtë filialeve të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë, derisa kanë vlerësuar se “veprimet e pakoordinuara” mund t’i “përshkallëzojnë tensionet” ekzistuese.

“Jemi të shqetësuar se veprimet e djeshme të policisë në veri të Kosovës rrezikojnë të përshkallëzojnë tensionet dhe të vështirësojnë zgjidhjen afatgjatë të çështjes së monedhës në Kosovë”, theksoi ambasada britanike, derisa kërkoi nga Kosova që të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun Kosovë-Serbi.

“Ne inkurajojmë autoritetet kosovare që të koordinojnë veprimet me partnerët ndërkombëtarë dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive me dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështje të tilla”, shtoi ambasada britanike.

Ndryshe, të hënën, Policia e Kosovës përmes një komunikate për media mbi aksionin e zhvilluar në Veri, ku u mbyllën gjashtë degë të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë, njoftoi se është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e parave, përkatësisht rreth 1 milion e 600 mijë euro dhe 74 milionë e 700 mijë dinarë në funksion të vendosjes së rendit dhe ligjshmërisë në këtë zonë.

E gjithë kjo ka ardhur pasi që në shkurt hyri në fuqi rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ku ndalohej përdorimi i dinarit serb për pagesa në territorin e Kosovës, ndërsa euro përcaktohej si valuta e vetme ligjore që lejohet për transaksione me para të gatshme.

Kjo çështje u bë temë diskutimi edhe në dialogun që ndërmjetësohet nga BE-ja. Pas një seri takimesh në mes të kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij serb, Petar Petkoviç, në Bruksel, përsëri nuk arrit një zgjidhje kompromisi për këtë çështje.

Të fundit

Aktuale