Lajme

SHBA-të akuzojnë Iranin për “ngacmim” të helikopterit mbi Gjirin Persik


Forcat detare të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) ndriçuan një lazer “shpeshherë” ndaj një helikopteri të Marinës Amerikane në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Gjirin Persik.

Lajmi u bë i ditur nga Marina Amerikane, duke cituar një njoftim zyrtar të së mërkurës.

Askush nuk u raportua i lënduar në ndërveprim, por Marina Amerikane e quajti sjelljen e supozuar të IRGC-së “të pasigurt, joprofesionale dhe të papërgjegjshme”.

“Këto nuk janë veprime të një force profesionale detare”, tha zëdhënësi i Flotës së 5-të të Marinës së SHBA-ve, Cdr. Rick Chernitzer në një deklaratë për shtyp. “Forcat detare amerikane do të mbeten vigjilente dhe do të vazhdojnë të fluturojnë, lundrojnë dhe operojnë kudo që e lejon ligji ndërkombëtar, ndërkohë që promovojnë sigurinë rajonale detare”.

Incidenti është i pari që raportohet publikisht nga marina amerikane në disa javë mes një qetësie të brishtë të tensioneve midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në të gjithë rajonin.

Helikopteri sulmues amerikan (AH-1Z Viper) i është caktuar Njësisë së 26-të të Ekspeditës Detare, e cila mbërriti në Bahrein muajin e kaluar në bordin e USS Bataan në mes të një grumbullimi më të gjerë të forcave ushtarake amerikane në Gjirin Persik.

Kjo, në përgjigje të një sërë përpjekjesh nga Irani për të konfiskuar cisternat komerciale.

Përpjekjet e autoriteteve iraniane për të kapur cisternat pasuan lëvizjet e Departamentit Amerikan të Drejtësisë për të konfiskuar ngarkesën iraniane të karburantit në bordin e një anijeje me flamuj të Ishujve Marshall, Suez Rajan, e cila ishte nisur për në Kinë në kundërshtim me sanksionet ekonomike të SHBA-ve.

Administrata Biden ka kërkuar një armëpushim de facto me Iranin dhe përfaqësuesit e tij në të gjithë Lindjen e Mesme me shpresën për të hedhur bazat për bisedimet e ardhshme mbi pasurimin bërthamor të Teheran-it.

Deri më tani, Teheran-i zyrtar nuk ka komentuar ende publikisht mbi ndërveprimin e supozuar me helikopterin amerikan.

Incidenti i së mërkurës nuk ka gjasa të ndryshojë tensionin informal midis dy kundërshtarëve.

Marrë dhe përshtatur nga Al-Monitor për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore