Kosova

SHBA-ja thotë se Kosova po nxit “tensione të panevojshme” në Veri, paralajmëron mosmbështetje në arenën ndërkombëtare


Ambasadori i ShBA-së, Jeffrey Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se vendi i tij është i shqetësuar pas veprimeve të autoriteteve të Kosovës, derisa ka përmendur edhe mundësinë e mosmbështetjes amerikane për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është thellësisht e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës që kanë ndikim direkt dhe negativ në pjesëtarët e etnisë serbe dhe minoritetet tjera në Kosovë. Këto veprime janë duke rritur në mënyrë të panevojshme tensionet ndëretnike dhe si pasojë kufizojnë opsionet që Shtetet e Bashkuara të shërbejnë si avokuese efektive për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e Hovenierit për media.

Tutje ai ka përmendur edhe çështjen e mbylljes së objekteve të “institucioneve të administruara nga Serbia” në Dragash, Pejë, Istog e Klinë dhe zyrën e një organizate joqeveritare në Prishtinë.

“Ne presim që autoritete e Kosovës të sigurojnë se individët për të cilat ishin të dedikuara këto pagesa sociale, t’i marrin pa vonesa”, shtoi ai.

Hovenier ka potencuar se çështja e strukturave serbe duhet të trajtohet përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, teksa ka përmendur konfiskimin e dinarëve serbë nga autoritetet e Kosovës të shtunën.

“Jemi të shqetësuar edhe nga veprimet e Policisë së Kosovës sot për sekuestrimin e dinarit serb dhe veturës që e transportonte për të shpërndarë pagesat sociale nga Serbia. Ne kërkojmë nga autoritetet e Kosovës të sigurojë që individët për të cilët janë menduar këto pagesa të përfitimeve sociale t’i marrin ato pa vonesë”.

Diplomati amerikan i ka bërë thirrje sërish Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e autoriteteve financiare për paratë e gatshme, me anë të të cilit ndalohet përdorimi i dinarit serb në Kosovë.

“Ne gjithashtu ritheksojmë kërkesën tonë që Kosova të shtyjë zbatimin e Rregullores së ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme, derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe derisa popullata të jetë mjaft e informuar se si do të vazhdojë tranzicioni i përfitimeve të tyre”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore