Rajoni

Serbia s’e ka ndërmend të distancohet nga Rusia: Daçiç paralajmëron vizitë në Moskë


Ivica Dacic dhe Sergej Lavrov

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka konfirmuar këtë të hënë për mediat serbe se deri në fund të vitit do të vizitojë Rusinë, ku pritet të takohet me homologun e tij rus, Sergej Lavrov.

“Ne nuk do të flasim për asgjë tjetër përveç marrëdhënieve tona dypalëshe dhe asaj që ka të bëjë me Komitetin e Përzier dhe sigurisht që do të takohem me kolegun tim Sergej Lavrov”, ka deklaruar Daçiç për televizionin serb Happy.

Duke arsyetuar vizitën e tij, në kohën kur Bashkimi Evropian kërkon krejt të kundërtën nga Serbia – bashkimin në sanksionet e perëndimit kundër Rusisë, Daçiç deklaroi se nëse ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, “mund të shkojë në Moskë, pse nuk mundemi ne”.

Daçiq është edhe bashkëkryetar i Komitetit të përbashkët për bashkëpunim mes Serbisë dhe Rusisë.

Ai deklaroi që i detyrohej Lavrovit një takim, sepse nuk mundi të vinte ai në Serbi, ndërsa Nikola Selakoviç nuk shkoi kur ishte ministër i Jashtëm.

Daçiç shtoi se më 4 shtator do të shkojë në Xhakartë, ku do të nënshkruajë pranimin e Serbisë në Asociacionin e Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN).

“Kemi 10 vite që aplikojmë, çdo shtet duhet të japë pëlqimin dhe kjo ishte shumë e vështirë. Për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme që të kemi një mekanizëm tjetër bashkëpunimi”, shtoi ministri serb.

Daçiç njoftoi gjithashtu se presidenti serb Aleksandër Vuçiç po udhëton për në Kinë, ku do të marrë pjesë në një samit atje.

Njoftimi për vizitë në Rusi i ministrit të jashtëm serb, vjen vetëm pak ditë pasi presidenti serb Vuçiç u bë pjesë e deklaratës së përbashkët të liderëve evropianë në Athinë, ku dënohej agresioni rus ndaj Ukrainës dhe ku merrte pjesë edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore