Kosova

Cingel: Perëndimit po i humb durimi nga veprimet e Kurtit – Serbia beson se Trump është më i favorshëm sesa Biden


Jan Cingel

Jan Cingel, drejtor ekzekutiv i organizatës për analiza strategjike, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë të enjten, tha se Kosova dhe Serbia presin rezultatin e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian (PE) në qershor, ndërsa Serbia shpreson që zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në nëntor do të prodhojnë politika që do t’i përshtaten palës serbe.

Cingel konsideroi se Bashkimi Evropian (BE) përpiqet ta shfrytëzojë kohën e mbetur deri në zgjedhjet për PE-në në qershor, për të arritur njëfarë përparimi në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas disa raundeve të negociatave të dështuara vitin e kaluar, sepse ai do të pezullohet gjatë verës, në pritje të konstituimit të Komisionit Evropian (KE).

“Kjo është arsyeja përse tani nuk ka ndonjë lëvizje reale, sepse edhe Beogradi, edhe Prishtina presin rezultatin e zgjedhjeve për PE-në. Ndërsa Beogradi, me vëmendje të veçantë, pret edhe rezultatin e zgjedhjeve presidenciale amerikane në vjeshtë. Serbia beson se Donald Trump do të ishte shumë më i favorshme sesa [presidenti aktual, Joe] Biden”, tha Cingel.

Një mandat i dytë i Trump, gjithmonë nëse fiton zgjedhjet presidenciale në nëntor, marrë për bazë edhe trashëgiminë kontraverse të ish-Emisarit Special për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, kombinuar nga një fitore paraprake e së djathtës ekstreme evropiane në zgjedhjet për PE-në në qershor, mund të ndryshojnë për të keq rrjedhën e zhvillimeve aktuale.

Kosova dhe Serbia shpejt do ta gjejë veten në rolin e spektatorëve të fragmentimeve brenda BE-së. Në zgjedhjet evropiane të qershorit, çështja për të vëzhguar është se sa forcohet rryma anti-liberale dhe e djathta ekstreme, ndërsa procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënive Kosovë-Serbi pritet të matet edhe në kontekstin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

Duke komentuar mbi rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet së cilës synohet ndalimi i përdorimit të dinarit serb në territorin kosovar, eksperti sllovak vlerësoi se bashkësia e organizuar perëndimore është duke e humbur durimin sa i përket veprimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili synon të udhëheqë një politikë të pavarur.

“Qeveria e Kurtit, me këto veprime, si heqja e dinarit, tregon se nuk e dëgjon Perëndimin, por se udhëheq një politikë të pavarur që mund të bëjë jehonë brenda vendit. Partnerët perëndimorë po e humbasin gjithnjë e më shumë durimin. Të kujtoj se sanksionet evropiane dhe amerikane kundër Kosovës janë ende në fuqi”, shtoi ndër të tjera Cingel për çështjen e dinarit.

BE-ja dhe SHBA-ja akuzuan njëzëri Qeverinë e Kosovës se nëpërmjet “lëvizjeve të njëanshme” është duke nxitur “tensione të panevojshme” në pjesën veriore të vendit të banuar kryesisht me serbë etnikë, ndërsa kërkoi shtyrjen e zbatimit të rregullores së BQK-së deri në një vendim të radhës nën arsyetimin se mund të ketë ndikim negativ te komuniteti serb në Kosovë.

Zgjedhjet në BE/SHBA zbehin perspektivën e dialogut – mund të prodhojnë rezultate të pafavorshme për Kosovën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore