Kosova

Serbët e Kosovës protestojnë kundër ndalimit të importit të mallrave nga Serbia


Protesta e serbëve në Mitrovicën Veriore

Disa qytetarë serbë të Kosovës, shumica afaristë të vegjël, kanë protestuar të hënën në Mitrovicën e Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën verore të vendit, kundër ndalimit të importit të mallrave nga Serbia dhe konfiskimit të mallrave serbe nga Policia dhe Dogana e Kosovës.

Ata kanë nisur edhe një peticion, nëpërmjet të cilit, sipas raportimit të agjencisë kosovare të lajmeve “Kosova Press” të hënën, kanë kërkuar nga autoritetet qendrore largimin e masës së ndalimit të mallrave serbe. Protesta ka zgjatur rreth një orë dhe nuk është raportuar për ndonjë incident.

Dushan Gashiç, përfaqësues i protestuesve, ka thënë para gazetarëve se dëshirojnë që aksionet e sekuestrimit të mallrave serbe të ndërpriten dhe gjendja të kthehet sikurse para muajit qershor, duke iu referuar vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalesën e mallrave serbe në tregun kosovar.

“Ne dëshirojmë që aksionet e njëanshme të konfiskimit të mallrave të ndërpriten. Duam që gjendja të kthehet sikurse para muajit qershor… Dua të potencoj se aksionet e tilla nuk u pëlqejnë as qytetarëve në jug të Ibrit. Parasëgjithash e kam fjalën për shqiptarët”, ka thënë ai.

Qeveria e Kosovës ka vendosur që asnjë mall nga Serbia dhe asnjë automjet me targa serbe të mos lejohet të futet në Kosovë për shkak të kidnapimit të tre zyrtarëve kufitarë të Kosovës nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare në muajin qershor, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore