Lajme

Senati amerikan miraton ndihmën prej 40 miliardë dollarësh për Ukrainën


Shumica e anëtarëve të Senatit amerikan mbështetën të enjten e 19 majit ndihmën prej 40 miliardë dollarësh për Ukrainën.

Kështu raporton “E vërteta evropiane”.

Paketa e ndihmës u miratua me 86 vota pro, ndërsa 11 senatorë ishin kundër.

Projektligji do të dërgohet në Shtëpinë e Bardhë për nënshkrim të menjëhershëm nga presidenti amerikan Joe Biden.

Kjo, ndërsa Washington-i zyrtar nxiton të vazhdojë ndihmën ushtarake për Ukrainën.

Senatori Rand Paul, një republikan nga Kentucky, më parë vonoi projektin për t’i ofruar këtë paketë ndihme Ukrainës.

Zëdhënësi i Pentagon-it John Kirby deklaroi në fillim të këtij muaji se financimi i fundit i Biden për furnizimin e shpejtë të armëve në Ukrainë do të mbarojë deri në javën e tretë të majit, nëse nuk shpërndahen fonde të reja.

Paketa i siguron Pentagonit gati 20 miliardë dollarë, tre miliardë më shumë sesa kërkoi fillimisht Shtëpia e Bardhë, duke përfshirë 6 miliardë dollarë ndihmë direkte për sigurinë dhe 9 miliardë dollarë për të rimbushur depot e armëve të dërguara nga Pentagoni në Ukrainë.

Përveç kësaj, paketa përfshin 4 miliardë dollarë për Ukrainën dhe vendet e tjera të prekura nga lufta për të ndihmuar me blerjet e armëve, 8.8 miliardë dollarë në mbështetje të drejtpërdrejtë ekonomike për Ukrainën, si dhe fonde për rihapjen e ambasadave, dokumentimin e krimeve të luftës dhe parandalimin e rrjedhjeve të karburantit bërthamor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore