Kosova

Sekretari amerikan: Marrëveshja Kosovë-Serbi kërkon fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis


“Arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të përqendruar në njohjen reciproke do të kërkojë nga të gjitha palët të demonstrojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis”, ka shkruar sekretari i Shtetit të SHBA-së, Anthony Blinken, me ç’rast ka uruar shtetin e Kosovës për përvjetorin e 13-të të Pavarësisë.

Në emër të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sekretari Blinken, ka përgëzuar Kosovën për përvjetorin e trembëdhjetë si shtet sovran dhe të pavarur, duke shtuar se SHBA do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit Euro-Atlantike

“Shtetet e Bashkuara janë krenare për rolin e tyre të hershëm dhe të vazhdueshëm në mbështetjen e Republikës së pavarur të Kosovës për t’u zhvilluar në një vend multietnik, gjithëpërfshirës dhe demokratik”.

Ai po ashtu vlerësoi Kosovën se ka bërë hapa të rëndësishëm drejt një të ardhme më të begatë, më të qëndrueshme dhe të sigurt, dhe përgëzoi për themelimin e marrëdhënieve zyrtare diplomatike me Izraelin.

“Përgëzojmë përpjekjet e Kosovës për të vendosur marrëdhënie të normalizuara me Serbinë”, ka shkruar Blinken.

Duke uruar siguri dhe shëndet të mirë popullit të Kosovës, ai tha se “ne vazhdojmë të punojmë së bashku për t’i kapërcyer sfidat e vazhdueshme të paraqitura nga pandemia COVID-19”.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore