Kosova

Sarrazin të enjten në Kosovë


Manuel Sarrazin

Manuel Sarrazin, Emisar Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, të enjten do ta vizitojë Kosovën.

Lajmi është bërë i ditur nga ambasada e  Gjermanisë nëKosovë, përmes një njoftimin për media, të mërkurën.

“Manuel Sarrazin, përfaqësuesi special i Gjermanisë për shtetet e Ballkanit Perëndimor do ta vizitojë Kosovën nesër”, thuhet në njoftim.

Bëhet me dije se pas takimeve zyrtare, Sarrazin do të japë një deklaratë për media para largimit.

Nuk janë dhënë detaje se me kënd do të takohet top-diplomati gjerman në Kosovë.

Në Kosovë, të enjten do të qëndrojë edhe Sekretari i Përgjithshëm për Çështje Operacionale të NATO-s, Thomas Goffus.

Këtë e bëri të ditur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së qeverisë të mërkurën.

Kreu i ekzekutivit njoftoi se vendin që ai udhëheqë – javën e ardhshme – do ta vizitojnë edhe dy Ministra të Punëve të Jashtme të dy vendeve anëtare të NATO-s, duke mos dhënë detaje shtesë.

Gjatë javës, në Prishtinë ka qëndruar edhe Shefi i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Stuart B. Munsch, në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në Kosovë.

Ndërsa, javën e kaluar, Kosovën e ka vizituar edhe Shefi i CIA-s, William Burns, ku është takuar me kryeministrit Kurti, presidenten Vjosa Osmani, dhe Shefin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Petrit Ajeti.

Këto vizita të shumta të nivelit të lartë në vend, vijnë në një kohë kur autoritetet kosovare kanë paralajmëruar hapjen e urës mbi lumin Ibër.

Nga ana tjetër, bashkësia ndërkombëtare është deklaruar kundër hapjes së urës kryesore në Mitrovicë në këto momente, derisa kanë bërë thirrje për shmangie të çdo vendimi që mund të rrisë tensionet në pjesën Veriore të banuar me shumicë serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore