Rusia po përpiqet të pengojë negociatat midis Kosovës dhe Serbisë, ka paralajmëruar një zyrtar “anonim” i Bashkimit Evropian të premten, pak ditë para bisedimeve, raporton agjencia e lajmeve franceze, AFP.
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç do të takohen me Josep Borrell në Bruksel me 27 shkurt me idenë e një pajtimi të përbashkët në parim për nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë të mbështetur në Propozimin franko-gjerman (evropian).
Sipas një zyrtari të lartë të BE-së, të dyja palët kanë pranuar në parim kushtet e planit evropian që do të shërbente si një hap drejt pajtimit të dy vendeve.
Suksesi i këtij plani do të varej nga zbatimi i propozimeve nga dy palët në muajt e ardhshëm, pavarësisht përpjekjeve të Moskës për të shtyrë Serbinë në kundërshtimin e çfarë do marrëveshje.
“Rusia ndërhyri dhe u përpoq të pengonte këtë punë”, ka thënë një zyrtar i lartë i BE-së, duke cituar fjalët e ambasadorit Rus në Serbi, i cili ditë më parë tha se “nuk është koha e duhur për të trajtuar çështjen e Kosovës dhe duhet pritur derisa të vendoset rendi i ri Botëror mes Rusisë dhe Perëndimit”.
“Unë e shoh këtë si një kërcënim për presidentin Vuçiç, duke e paralajmëruar atë që të mos pajtohet me propozimin”, shtoi zyrtari i BE-së, transmeton AFP.
Zyrtari i BE-së beson se “kërcënimi i hapur” i ambasadorit rus nuk ka pasur ndonjë ndikim në pozicionin e presidentit Vuçiç, por mbi të gjitha “ka ndikuar tek një pjesë e opozitës në Serbi”.
“Ka shumë substancë në këtë dokument që do të relaksonte shumë atmosferën”, ka shtuar zyrtari i lartë i Unionit.
Ndërkaq, ai ka thënë se pengesë për këtë marrëveshje mund të jetë ngurrimi i Kosovës për të pranuar zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Gjithashtu, zyrtari ka pranuar se përparimi i ngadaltë i shteteve të Ballkanit Perëndimor drejtë integrimeve evropiane ka zbehur entuziazmin e këtyre shteteve për Evropën.
Ndryshe, sipas këtij zyrtari frika e shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës duhet të rrisë mbështetjen për planin evropian që parasheh zgjidhjen e problemit Kosovë – Serbi, dhe çdo përparim në këtë çështje mund të rifillojë “lokomotivën” për integrimin evropian.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com