Lajme

Rusi: Rrëzohet helikopteri me 16 persona, nëntë të mbijetuar


Nëntë persona kanë mbijetuar pasi një helikopter u rrëzua më 12 gusht në Gadishullin Kamchatka në Lindjen e Largët të Rusisë.

Kjo, sipas raportimeve të mediave ruse, të cilat kanë cituar zyrtarë të qeverisë lokale.

Ndërkaq po zhvillohet një kërkim për shtatë personat e mbetur që ishin në bordin e helikopterit.

Mjeti u rrëzua pak para orës 10 të mëngjesit me orën lokale në Rezervën Natyrore Kronotsky.

Ministria e Situatave Emergjente Ruse tha se 13 nga personat në helikopter ishin pasagjerë dhe tre ishin ekuipazh.

Marina Volkova, zëvendësministre e Shëndetësisë në rajonin Kamchatka, tha se kishte nëntë të mbijetuar.

“Sipas informacioneve tona, nëntë persona mbijetuan. Informacioni për pjesën tjetër të turistëve dhe anëtarëve të ekuipazhit është duke u hetuar”, tha zyrtarja ruse.

Shtatë nga të mbijetuarit ishin pasagjerë dhe dy ishin anëtarë të ekuipazhit, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve “TASS”, duke cituar një përfaqësues të shërbimit të urgjencës.

Ministria e Situatave Emergjente citoi administratën rajonale të thoshte se helikopteri Mi-8 u zhyt në Liqenin Kuril në një krater vullkanik në rezervatin e natyrës dhe u fundos.

Punëtorët e shpëtimit me anije dhe zhytësit po kërkojnë për të mbijetuar të tjerë.

Operacioni i shpëtimit përfshin dhjetëra njerëz nga ministria dhe nga spitali i rrethit.

Sipas shërbimit për shtyp të Rezervës Natyrore Kronotsky, helikopteri i përket kompanisë Vityaz-Aero.

Avioni u prodhua në vitin 1984 në Ulan-Ude. Vityaz-Aero ka funksionuar që nga viti 2009 dhe ka një flotë prej më shumë se 20 helikopterësh Mi-8, raportoi “TASS”.

Rrëzimi i helikopterit vjen pak më shumë se një muaj pasi një aeroplan rus u rrëzua në Kamchatka, duke vrarë 28 persona në bord. Zyrtarët fajësuan pilotin për atë incident.

Marrë dhe Përshtatur nga Radio Evropa e Lirë për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore