Shqipëria

Rritje e eksporteve dhe importeve për muajin gusht të këtij viti


Si eksportet edhe importet kanë shënuar rritje për gushtin e vitit 2022 në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kështu ka rezultuar nga një raport i fundit i INSTAT-it mbi tregtinë e jashtme të mallave.

Eksportet e mallrave për gushtin e vitit 2022 arritën vlerën 35 miliard lekë, duke u rritur me 48,1 për qind, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Por kanë shënuar rënie me 10,8 për qind, në krahasim me korrikun e vitit 2022.

Ndërsa importet e mallrave arritën vlerën 80 miliard lekë, duke u rritur me 30,8 për qind, në krahasim me një vit më parë dhe duke u ulur me 2,6 për qind, në krahasim me korrikun 2022.

Defiçiti tregtar i këtij muaji është 44 miliard lekë, duke u rritur me 19,6 për qind, krahasuar me gushtin e vitit 2021 dhe me 5,2 për qind, në krahasim me korrikun e këtij viti.

Kurse në këtë tetëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 328 miliard lekë, duke u rritur me 41,0 për qind, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 607 miliard lekë, duke u rritur me 24,8 për qind, krahasuar me një vit më parë.

Deficiti tregtar arriti vlerën 280 miliard lekë, duke u rritur me 10,0 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021.

Ndryshimi vjetor në Tregtinë e mallrave(%)

Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve:

Gjatë muajit gusht të këtij viti, në rritjen e eksporteve kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +19,4 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +14,8 pikë përqindje dhe “Tekstile dhe këpucë” me +5,6 pikë përqindje .

Ndërsa grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +12,6 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +12,0 pikë përqindje, dhe “Tekstile dhe këpucë” me 6,7 pikë përqindje.

Kontributi i grupeve në ndryshimin vjetor të eksporteve, Gusht2022

Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të importeve:

Sakaq, në rritjen e importeve kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +20,3 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +2,6 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me +2,1 pikë përqindje.

Si tetëmujor, kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +11,6 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +4,2 pikë përqindje dhe “ Ushqime, pije, duhan” me +3,5 pikë përqindje.

Kontributi i grupeve në ndryshimin vjetor të importeve, Gusht2022

Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere

Për muajin gusht të vitit 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me gushtin e kaluar janë: Italia (29,0 %), Spanja (411,2 %) dhe Gjermania (43,1 %).

Në të kundërt, vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Kosova (9,2 %), Maqedonia e Veriut (5,9 %) dhe Kina (86,8 %).

Gjatë këtij tetëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë janë: Italia (49,1 %), Kosova (6,0 %) dhe Gjermania (75,0 %) .

Kurse vendi me të cilin eksportet kanë pasur uljen më të madhe është Spanja (17,7 %) .

Vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve për muajin gusht 2022 janë: Turqia (29,7 %) Greqia (133,2 %) dhe Kina (46,3 %).

Ndërkohë, vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (7,0 %), Gjermania (19,4 %) dhe Austria (8,2 %).

Gjatë këtij tetëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (10,8 %), Turqia (34,6 %) dhe Greqia (33,8 %).

Ndërkaq, vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: SHBA-të (16,2 %), Rusia (18,1 %) dhe Zvicra (13,7 %)

Tregtia e jashtme e mallrave sipas disa vendeve të BE-së, Gusht2022

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 53,3 për qind, të gjithë tregtisë.

Këtë gusht, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 66,9 për qind të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 47,3 për qind të importeve gjithsej.

Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (18,7 %), Greqia (9,5 %), Turqia (8,9 %) dhe Kina (6,2 %).

Shkëmbimet tregtare, për tetëmujorin e vitit 2022, me vendet e BE-së zënë 59,7 për qind të gjithë tregtisë.

Në periudhën Janar – Gusht 2022, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 73,2 për qind të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 52,4 për qind të importeve gjithsej.

Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (29,8 %), Turqia (8,1 %), Greqia (7,1 %) dhe Gjermania (6,3 %) .

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore