Kosova

Rohde, Gërvallës: Kryeni detyrat për anëtarësim në KiE


Jorn Rohde dhe Donika Gërvalla

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka bërë thirrje për përmbushje të kërkesave gjatë procesit të dialogut, duke e ndërlidhur atë me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Çështjen e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, e kemi shtyrë përpara vitin e kaluar dhe të gjithë e dimë se KiE është në pozicion të ndryshueshëm, ka pasur shumë drama me suspendimin e Rusisë. Kosova duhet t’i kryej detyrat. Anëtarësimi i Kosovës është afër”, tha ai në sesionin “Përshkrimi i së ardhmes: Drejtimet e politikave dhe angazhimi diplomatik”, në kuadër të konferencës “Urëzimi i Ballkanit Perëndimor”.

“Këshilli i Evropës është paradhoma për BE, nëse nuk kaloni këtu është vështirë të shkoni te hapi tjetër”, ka shtuar ai.

Ndërkaq ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka deklaruar se dialogu si i vetëm nuk mund të sjellë gjithmonë suksesin.

“Tash në prill do të kemi diskutimin nëse Kosova do të ftohet të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës, pra të duhet dialogu, diplomacia me bisedime”, theksoi Gërvalla.

Vitin e kaluar, Kosova u vizitua nga juristët eminentë, Spiliopolou Akermark dhe Thomas Markert. Vizita e tyre ishte në kuadër të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Misioni faktmbledhës i tyre disa ditor kulmoi me një raport, në të cilin ndër të tjera kërkohet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, reforma për të përmirësuar efikasitetin e sistemit gjyqësor e përmbajtja nga përdorimi i forcave speciale të Policisë së Kosovës në Veri të Kosovës.

Raporti 28 faqesh i publikuar nga Këshilli i Evropës është ndarë në gjashtë pjesë ku analizohet korniza kushtetuese e Kosovës, Demokracia, Zbatimi i Ligjit e Drejtat e Njeriut.

Disa nga konkluzionet kyçe të kësaj raporti të Këshillit të Evropës sugjerojnë që Qeveria e Kosovës të braktisë kundërshtimin e saj ndaj themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duke vënë në jetë një mekanizëm të tillë, sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Raporti i Këshillit të Evropës ndër të tjera vlerëson se Qeveria duhet të respektojë pa vonesa të mëtejshme aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin e Manastirit të Deçanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore